Arrestohet i dyshuri që sulmoi me thikë dy persona në Ferizaj, Prokuroria njofton se bëhet fjalë për një të mitur

12:50 | 10 Korrik 2026
arrestohet-i-dyshuri-qe-sulmoi-me-thike-dy-persona-ne-ferizaj,-prokuroria-njofton-se-behet-fjale-per-nje-te-mitur

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është ndaluar në kohëzgjatje prej 24-orësh i dyshuari i mitur për sulm me thikë ndaj dy personave të tjerë sot në Ferizaj.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Rasti ka ndodhur sot, më datën 10.07.2026, rreth orës 07:53, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona të tjerë. Fillimisht, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është lokalizuar nga ana e Policisë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale të lartcekura”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se ndaj të dyshuarit në këtë rast do të vazhdojë tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore.

Komento: