Arrestohet ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov

23:36 | 17 March 2022

Ish-kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u arrestua të enjten më 17 mars, si pjesë e një operacioni policor të lidhur me hetimet e zyrës së prokurorit të BE-së, tha Ministria e Brendshme bullgare.

Në njoftimin e ministrisë, thuhet se bashkë me Borisovin u arrestuan edhe ish-ministri i Financave, Vladislav Goranov, ish-shefi i komisionit parlamentar buxhetor, Menda Stojanova dhe këshilltarja e Borisovit për media, Sevdalina Arnaudov.

“Një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në Bullgari në lidhje me 120 raste të Prokurorisë Evropiane. Bastisje dhe sekuestrime janë kryer në shumë adresa. Bojko Borisov, Vladislav Goranov, Menda Stoyanova dhe Sevdalina Arnaudova aktualisht janë të ndaluar”, thuhet në njoftim.

Borisov, 62 vjeç, është aktualisht kryetar i partisë opozitare të qendrës së djathtë GERB.

Ministria nuk dha detaje, por televizioni publik BNT tha se rastet kishin të bënin me “keqpërdorimin e ndihmave të BE-së”.

Bastisjet vazhduan në shumë adresa në të gjithë vendin.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, në një postim në rrjetet sociale.

Partia e sapoformuar kundër korrupsionit e Petkov, fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari vitin e kaluar, me platformën “zero tolerancë për korrupsionin”.

Operacioni vjen pas një vizite në Sofje më 16-17 mars nga kryeprokurorja evropiane Laura Koevesi.

Ajo vlerësoi “vendosmërinë, udhëheqjen dhe vizionin bindës të Petkovit në luftën kundër korrupsionit”.

“Tani është koha që autoritetet përkatëse bullgare të bashkohen me ne, duke përfshirë rastet veçanërisht të ndjeshme”, tha Koevesi.

“Kjo është arsyeja pse ne ekzistojmë, kjo është arsyeja pse jemi këtu”, tha Koevesi, janë hapur 120 hetime për mashtrime që përfshijnë paratë e BE-së në lidhje me tenderët publikë, subvencionet bujqësore, ndërtimet dhe fondet e rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit.

Borisov është akuzuar për korrupsion disa herë gjatë viteve, por ka mohuar akuzat.

Komento: