
Një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe më pas i integruar në Policinë e Kosovës, është arrestuar të shtunën në Leshak, nën dyshimin për kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Siç ka thënë Sveçla, ekzistojnë dyshime të bazuara se V.M. ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviqit, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.
Sveçla ka thënë se i arrestuari së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë më 2023.
“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka thënë se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë në Kosovë e se herët a vonë të gjithë personat përgjegjës do të dalin para drejtësisë.
“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim. Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë”, ka shtuar ai.
Sveçla ka bërë të ditur se aksioni i arrestimit në Leshak u bë bashkë nga Policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Sipas tij, V.M. ishte integruar në Policinë e Kosovës sipas vitit 2013, prej nga kishte dhënë dorëheqje.