Arrestohet ish-zyrtarja e lartë e ministrisë së Brendshme të Serbisë

20:21 | 15 October 2021

Ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviq, është ndaluar të premten (15 tetor).

Sipas informacioneve jozyrtare banesa e saj është duke u bastisur dhe ajo po merret në pyetje, raporton REL.

Ende nuk është deklaruar policia dhe ende nuk ka asnjë informacion për arsyet e ndalimit të saj.

Diana Hërkaloviç u emërua në pozitën e Sekretares së Shtetit në Ministrinë e Brendshme në vitin 2017.
Në atë kohë, funksioni i ministrit mbahej nga Nebojsha Stefanoviq – ministri aktual i Mbrojtjes i Serbisë. Hërkaloviq përshkruhej si bashkëpunëtorja e tij më e afërt.

Në fund të majit 2019, Hërkaloviq dha dorëheqjen nga pozita e saj pa dhënë arsye.

Emri i saj u përmend përsëri në media në janar të këtij viti 2021, kur u raportua se Hërkaloviq ishte një nga të personat që është marrë në pyetje për çështjen e përgjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria as nuk i konfirmuan dhe as i mohuan këto pretendime, dhe Dijana Hërkaloviq nuk ka folur asnjëherë për këtë.

Në mesin e vitit 2020, tabloidet pro-qeveritare filluan të shkruajnë për lidhjet e supozuara të Hërkaloviç me një klan kriminal në Serbi. Por, policia dhe prokuria nuk kanë dhënë informacione lidhur me këtë.

Zyra e Prokurorit për krim të organizuar në Beograd ka akuzuar Veljko Bellivukun dhe grupin e tij në një rast të profilit të lartë. Bellivuk dhe 30 persona të tjerë ishin të dyshuar dhe nën hetim për pesë vrasje të rënda, trafikim të armëve dhe të drogës, një kidnapim dhe një dhunim seksual. Bellivuk u arrestua më 4 shkurt 2021 dhe më shumë arrestime vazhduan më vonë, në një rast që shokoi publikun serb.

Diana Hërkaloviq u mor në pyetje për këtë rast dhe mediat raportuan se ajo u pyet për lidhjet e saj me Bellivukun.

Sidoqoftë, avokati i saj Nenad Tasiq i tha portalit Insider se policia i bëri pyetje në lidhje me rrethanat e rrezikimit të sigurisë së presidentit, Aleksandar Vuçiq dhe familjes së tij, dhe se ajo mohoi se kishte ndonjë njohuri për këtë.

Gjithashtu, avokati deklaroi se Hërkaloviq u pyet për njohjen e saj me Slavisha Kokez, ish -presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë. Kokeza u mor në pyetje nga policia për lidhjen e supozuar me grupin e Bellivukut, të cilën ai e mohoi.

Pas arrestimit të Bellivukut, presidenti i Serbisë e quajti atë dhe bashkëpunëtorët e tij një “degë” të klanit kriminal malazez dhe vuri në dukje se në Serbi ishin krijuar dy grupe kriminale.

Gazetarë hulumtues në Serbi kanë raportuar se Bellivuk dhe disa anëtarë të grupit të tij pretendohet se gjatë seancës gjyqësore deklaruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë kërkuar [Bellivukut] më shumë shërbime.

Këto shërbime përfshijnë kontrollimin e huliganëve të futbollit dhe protestave antiqeveritare.

Presidenti i Serbisë si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vullin i mohuan këto pretendime.

Opozita në Serbi kërkoi hetim në këto pretendime që e lidhin Bellivukun me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Komento: