
Një grua është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për mashtrim, pasi dyshohet se është prezantuar rrejshëm si zyrtare shtetërore dhe ka marrë para nga një qytetare për t’i “kryer një rast”.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në “Rrugën B” në Prishtinë. Më 23 dhjetor 2025, ankuesja, femër kosovare, ka raportuar se një e dyshuar, po ashtu femër kosovare, është prezantuar si prokurore dhe i ka marrë para me premtimin se do ta ndihmonte në zgjidhjen e një rasti.
Pas hetimeve të ndërmarra nga autoritetet policore, më 25 dhjetor 2025 e dyshuara është arrestuar. Me vendim të prokurorit të shtetit, ajo është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
“Rruga B, Prishtinë, dhjetor 2025. Më 23.12.2025 ankuesja femër kosovare ka raportuar se e dyshuar femër kosovare, duke u prezantuar si zyrtare shtetërore (prokurore) ka marrë para nga viktima si shpërblim për t’i kryer një rast. Më 25.12.2025 e dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./KosovaPress