Vrasja e 50-vjeçarit në një kafiteri në Gjilan, arrestohet një i dyshuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e 12 shtatorit të vitit të kaluar, në një kafiteri në Gjilan.
Sipas raportit 24 orësh, i arrestuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut.
“Bulevardi i Pavarësisë, Gjilan, 12.09.2021 – 19:45. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i R. Maqedonisë Veri. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, për këtë rast ishin arrestuar edhe tre persona të tjerë. Në aktvendimin për caktimin e paraburgimit ndaj tyre, Gjykata Themelore e Gjilanit kishte shpjeguar edhe skenarin se si kishte ndodhur rasti.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij, në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktvendim.