Arrestohet një zyrtar i Komunës së Prishtinës, dyshohet se mundësoi regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një personi

10:34 | 12 Nëntor 2026
komuna-e-prishtines-fton-qytetaret-te-marrin-pjese-ne-degjimet-publike-per-planifikimin-e-buxhetit-2027

Një zyrtar i Komunës së Prishtinës është arrestuar nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se kishte vërtetuar dokumente që i mundësuan një personi të regjistronte tri prona komunale në emrin e tij.

Rasti ka të bëjë me një periudhë kohore gjatë viteve 2022-2023, ndërsa arrestimi është kryer më 11 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, zyrtari komunal dyshohet se kishte vërtetuar dokumente të dyshuara, përmes të cilave një person tjetër kishte arritur të regjistronte tri prona komunale në emrin e tij.

“Me datë 11.11.2026 DHKEK, njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve, me autorizim të prokurorit kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, zyrtar komunal i Prishtinës, me dyshimin e bazuar se i njëjti kishte vërtetuar dokumente të dyshuara duke mundësuar që i dyshuari mashkull kosovar, të regjistroi tri prona komunale në emrin e tij”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentit” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Komento: