Arrihet marrëveshja: Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor

19:45 | 09 Mars 2022

Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor, vend që ndodhet në Juglindje të Azisë.

MPJ ka bërë të ditur lajmin përmes një komunikate.

Marrëveshja është nënshkruar në Nju Jork të SHBA-së.

Kjo është komunikata e plotë:

Republika e Kosovës vendos Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor

Republika e Kosovës dhe Republika Demokratike e Timorit Lindor nënshkruan marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Marrëveshja u nënshkrua në Nju York, ne ambientet e Misionit Permanent të Republikës Demokratike të Timorit Lindor pranë OKB-së.

Në komunikatën e përbashkët thuhet se Marrëdhëniet Diplomatike arrihen me qëllim të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si në atë politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, sipas parimeve të Kartës së OKB-së dhe normave të së Drejtës Ndërkombëtare.

Po ashtu, në të thuhet se vendosja e Marrëdhënieve Diplomatike përkon me interesin e të dy shteteve për forcimin e mëtejmë të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Me nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, Republika e Kosovës vazhdon forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Në këtë kohë të sfidave globale dhe agresionit me të cilin po perballet bota demokratike, forcimi i pozitës sonë diplomatike anekënd botës është i një rëndësie të veçantë, prandaj Republika e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për të vendosur marrëdhënie diplomatike edhe me vende të tjera njohëse, për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me interes të përbashkët.

Komento: