Barcelona dhe Atletico Madridi raportohet se janë afër arritjes së marrëveshjes për Antoine Griezmannin.
Ashtu si sezonin e kaluar, edhe në këtë sezon sulmuesi francez është duke luajtur te madrilenët si i huazuar nga Barça.
Sipas marrëveshjes së klubeve, Atletico duhet ta blejë Griezmannin për 40 milionë euro nëse ai kalon të paktën 45 minuta në fushë në 50% të ndeshjeve gjatë dy sezoneve.
Dhe, në gjashtë ndeshje radhazi të këtij sezoni në La Liga, reprezentuesi i Francës është futur në lojë pas minutës së 60-të, teksa u raportua se Barcelona mund të bëjë një padi kundër Atleticos lidhur me këtë situatë, transmeton Express.
Por, sipas “L’Equipe”, opsioni i blerjes së 31-vjeçarit mund të reduktohet në 25 milionë euro. Bisedimet mes klubeve për këtë çështje thuhet se janë afër përfundimit. Katalunasit shpresojnë që marrëveshja të arrihet gjatë pushimit për ndeshjet e kombëtareve.
Kur klubet më në fund të arrijnë marrëveshje, Atletico Madridi pastaj mund t’i japë Griezmannit më shumë minuta për lojë.