Arsenali i gatshëm për t’i ofruar kontratë të re Granit Xhakës.
Arsenali raportohet se është i vendosur për të nisur bisedimet me Granit Xhakën për rinovim të kontratës gjatë këtij viti.
Mesfushori nga Kosova vlerësohet si një nga futbollistët kryesorë të Arsenalit. Ai ka qenë titullar i padiskutueshëm në çdo ndeshje në Premierligë këtë sezon, transmeton Gazeta Express.
Xhaka po luan rol kyç te skuadra e Mikel Artetas, teksa deri më tani ka shënuar 3 gola dhe ka regjistruar 2 asistime.
Dhe, paraqitjet e mira të 30-vjeçari në fillim të këtij sezoni pritet të shpërblehen nga “Topçinjtë”.
Sipas “Football Insider”, Arsenali po planifikon të nisë bisedimet me reprezentuesin e Zvicrës rreth kontratës së re këtë vit.
Kjo shihet si një “surprizë e këndshme” për shkak të moshës, historisë dhe raporteve të mëparshme të lojtarit me tifozët.
Sidoqoftë, raportet mes tyre janë rregulluar krejtësisht këtë sezon – derisa tifozët po këndojnë edhe këngë për Xhakën.
Kontrata aktuale e Granit Xhakës me klubin nga Londra skadon më 30 qershor 2024.