Arsim Bajrami këshillon Avdullah Hotin për themelimin e Asociacionit

14:31 | 10 Qershor 2020

Arsim Bajrami këshillon Hotin që ta vendosë si prioritet punën e themelimit të Asociacionit.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dje kanë publikuar një dokument në të cilin kanë përmbledhur të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tani në mes të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Brukselit. Një dokument të tillë e kanë hartuar dy anëtarët e kësaj akademie, Arsim Bajrami, dhe Gjyljeta Mushkolaj, të dy profesorë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Pas publikimit të këtij dokumenti, në ambientet e Akademisë së Shkencave është organizuar sot edhe një debat ku ka marrë pjesë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa.

Hoti ka prezantuar fillimisht kornizën e tij për dialogun në të cilën gjithashtu ka propozuar krijimin e një uniteti dhe gjithpërfshirje.

Një gjë të tillë e ka vlerësuar Arsim Bajrami, i cili më tej ka folur edhe për punën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Bajrami në fjalën e tij ka thënë se themelimi i Asociacionit tashmë është një obligim ndërkombëtar për Kosovën dhe se nuk duhet lënë si çështje të diskutueshme meqë sipas tij, nëse shtrohet si problematikë në Bruksel do t’i shkaktojë Kosovës vetëm probleme.

Bajrami ka sugjeruar Hotin që punën e Asociacionit ta vendos si prioritet të qeverisë së tij, duke thënë se duhet krijuar një komision respektiv që do të themelonte statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Kur ka folur për statutin, Bajrami ka rikujtuar propozimin e ish-kryeministrit Mustafa, i cili kishte kërkuar që të hartohet një klauzolë për Asociacionin e cila fillimisht do të merrte miratimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Tanimë ky është detyrim ndërkombëtar për Kosovën. Personalisht iu këshilloj që ta merrni si obligim të Qeverisë këtë punën e Asociacionit. Të themeloni një komision respektiv që të themeloj statutin e këtij Asociacioni. Qeveria e Isa Mustafës ka qenë shumë pragmatike kur ka propozuar që të hartohet një klauzolë që statuti i Asociacionit paraprakisht do të marrë verifikimin në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të konstatohet që ky asociacion të jetë në pajtim”, ka thënë Bajrami në fjalën e tij.

Sipas ish-minsitrit lënja e një çështje të tillë si të diskutueshme vetëm sa do t’i shkaktojë probleme Kosovës.

“Personalisht iu këshilloj që në qeveri ta vendosni si prioritet, që të mos lihet si një çështje e diskutueshme dhe që të vendoset si e tillë në Bruksel., sepse do të shkaktojë më shumë telashe për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Arsim Bajrami.

Komento: