Arsim Bajrami vihet në dispozicion për President, u shkruan letër katër liderëve partiakë

14:40 | 26 Shkurt 2026
arsim-bajrami-vihet-ne-dispozicion-per-president,-u-shkruan-leter-kater-lidereve-partiake

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka shprehur gatishmëri për të qenë njëri nga kandidatët konsensual për president të vendit.

Ai i ka publikuar në Facebook një letër të gjatë drejtuar liderëve të katër partive kryesore politike në vend.

“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në letrën publike të Bajramit.

Profesori ka bërë thirrje për “unitet politik” për zgjedhjen e Presidentit.

Ai ka përmendur momentin e rëndësishëm për stabilitet institucional, sfidat gjeopolitike, përvojën e tij, si arsye se i plotëson “kushtet profesionale, politike dhe morale” për këtë pozitë.

Letra e plotë e Arsim Bajramit:

Thirrje për unitet politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës

I nderuar Z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,

I nderuar Z. Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,

I nderuar Z. Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,

I nderuar Z. Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,

Në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës, ju drejtohem me thirrjen që, përtej dallimeve politike dhe interesave partiake, të ndërtohet një unitet politik konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies së krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Duke pasur parasysh sfidat komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë me të cilat përballet Republika e Kosovës, të cilat kërkojnë maturi shtetërore, unitet politik dhe përgjegjësi të lartë institucionale;

Duke marrë në konsideratë nevojën imperative për përmbylljen e qëndrueshme të procesit të shtetndërtimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e sovranitetit shtetëror dhe orientimin euroatlantik të vendit;

Duke çmuar rolin kushtetues të Presidentit të Republikës si figurë unifikuese, mbi-partiake dhe përfaqësuese e unitetit politik dhe qytetar të popullit të Kosovës;

Duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik;

Duke qenë njëri ndër hartuesit e të gjitha akteve themelore kushtetuese të Kosovës, si dhe duke dhënë kontributin tim politik, juridik dhe institucional gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në funksion të realizimit të së drejtës së popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe shtet të pavarur;

Duke pasur përvojë të drejtpërdrejtë në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës;

Duke njohur në mënyrë të thelluar sistemin kushtetues, juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës, si dhe mekanizmat e funksionimit të institucioneve në plan vendor dhe ndërkombëtar;

Duke ndërtuar ndër vite bashkëpunim institucional korrekt, dialog politik konstruktiv dhe respekt reciprok me të gjitha subjektet politike;

Komento: