Arsyet pse statusi si OAE premton mirë për tregtinë dhe rritjen ekonomike brenda rajonit të CEFTA-s

13:41 | 10 Gusht 2023

Në biznes, besimi dhe besueshmëria janë cilësi esenciale. A e dini se ekziston një emërtim që mund ta fitoni për të treguar se jeni partner i besueshëm dhe solid? Ky është statusi i OAE-së. Agjencitë doganore mund t’ua japin statusin e OAE-së (Operator i Autorizuar Ekonomik) bizneseve që plotësojnë disa kërkesa për të demonstruar besueshmërinë dhe pajtueshmërinë e tyre ligjore në shkallë globale. Kjo ndihmon në krijimin e besueshmërisë së tyre si biznese solide.

“Organizata Botërore e Doganave (OBD) ka krijuar nocionin e Operatorit të Autorizuar Ekonomik, bazuar në bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore dhe bizneseve. Statusi i OAE-së i jep nivelin më të lartë të besimit një ndërmarrjeje që është pjesë e zinxhirit të shkëmbimeve tregtare ndërkombëtare dhe që i plotëson disa kritere”, shprehet Sekretariati i CEFTA-s.

Vënia në praktikë e kërkesave për t’u bërë Operator i Autorizuar Ekonomik përmirëson sigurinë, shpejtësinë dhe efikasitetin e tregtisë, duke rezultuar përfundimisht në shpërndarje më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve për përdoruesit fundorë.

“Ka dy lloje të aprovimeve: aprovimi për AEOC (Thjeshtëzim Doganor për Operator të Autorizuar Ekonomik), i cili i lejon përdoruesit të përfitojë nga disa thjeshtëzime në përputhje me rregulloret doganore, dhe aprovimi për AEOS (Siguri dhe Mbrojtje për Operator të Autorizuar Ekonomik), i cili i lejon përdoruesit të përfitojë nga disa thjeshtëzime në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen. Të dy llojet e aprovimeve mund të përdoren njëkohësisht si një aprovim i kombinuar AEOC/AEOS”, u shpreh Oda Ekonomike e Malit të Zi.

Pse është e dobishme për bizneset që të bëhen OAE?

Ky program ka disa përparësi, duke përfshirë përshpejtimin e procedurave doganore, uljen e kostove të biznesit, kursimin e kohës dhe, më e rëndësishmja, njohjen në terren si një partner tregu i besueshëm për shërbimin doganor. Andaj, statusi i OAE-së është përgjithësisht parakusht për angazhim në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Kur të plotësohen kërkesat për njohjen e programit në nivel të CEFTA-s, bizneset në të gjitha Palët e CEFTA-s do të jenë në gjendje t’i shfrytëzojnë përparësitë që sjellin përfitimet që vijnë me statusin.

“Për maksimizimin e potencialit të tregut të CEFTA-s, ne punojmë për t’i përmirësuar proceset dhe për t’iu përmbajtur normave konsistente. Zbatimi i programit për Operator të Autorizuar Ekonomik dhe sigurimi i njohjes së tyre reciproke janë hapa vendimtarë drejt arritjes së synimeve tona të bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrjes së plotë të Palëve të CEFTA-s në tregun e përbashkët evropian. Andaj, pajtueshmëria me standardet e BE-së është kushti kyç për njohjen e këtij programi në nivel të CEFTA-s”, deklaroi Sekretariati i CEFTA-s.
Sipas Odës Ekonomike të Malit të Zi, që të njihen programet për OAE të Palëve të CEFTA-s, ato duhet të zhvillohen dhe zbatohen në të njëjtën mënyrë si ato të BE-së. Si rezultat, administratat doganore të Palëve të ndryshme të CEFTA-s kanë kërkesa identike nga kompanitë për përmbushjen e standardeve komplekse, në bazën e të cilave e marrin këtë status kompanitë që janë në pajtueshmëri me këto rregulla dhe kërkesa strikte. Me fjalë të tjera, një biznes që bëhet OAE në Palën A të CEFTA-s do të trajtohet njësoj si një biznes tjetër OAE në Palën B të CEFTA-s, çka nënkupton se statusi i OAE-së i fituar në Palën A të CEFTA-s njihet në Palën B të CEFTA-s.Kështu, në të gjitha palët e CEFTA-s programet konfirmohen/validohen në nivel të CEFTA-s si identike me ato në vendet anëtare të BE-së, dhe këto biznese marrin të njëjtat përfitime që u jep ky status. Statusi i OAE-së në vendkalime nënkupton më pak kohë të shpenzuar në pritje të kamionëve, transport më të shpejtë dhe kosto më të ulëta biznesi, por numri i reduktuar i kontrolleve është përfitimi më i madh i prekshëm, pasi që këto biznese janë biznese të besuara nga administratat doganore. Kompanitë që kanë këtë status në Mal të Zi do të trajtohen në mënyrë të barabartë në Palët e tjera të CEFTA-s, pasi që programi malazez të pranohet në nivel të CEFTA-s.
Si merret statusi i OAE-së?

Mund të duhen shumë muaj për ta përfunduar procesin rigoroz të aprovimit. Mund të jenë të nevojshme pajtueshmëria me rregullat, grumbullimi i dokumentacionit dhe investime teknike që këtë status ta arrijnë të gjitha bizneset dhe t’i përmbushin kriteret e rrepta.

Sipas Odës Ekonomike të Malit të Zi, “është e nevojshme që të ketë pajtueshmëri të plotë të biznesit me rregulloret doganore dhe tatimore për një periudhë të gjatë kohore, likuiditet financiar të dëshmuar, kontabilitet të rregullt dhe qasje të lehtë në të dhënat e kontabilitetit, të ekzistojë një sistem që mundëson zbulimin e parregullsive dhe mashtrimeve, arkivimin e të dhënave dhe mbrojtjen nga humbja e të dhënave, duke përmbushur standardet e duhura të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Veç kësaj, cilësia dhe besueshmëria e proceseve dhe kontrolleve të brendshme të kompanisë duhet të jenë shumë të larta.

“Në këtë procedurë, besimi dhe siguria janë me rëndësi madhore. Për shkak të kësaj nevoje, kompania duhet të plotësojë disa kërkesa, si ndjekja e protokolleve që do të krijojnë marrëdhënie të besueshme me partnerët e biznesit dhe respektimi i rregullave të rrepta në lidhje me mbrojtjen kundër ndërhyrjeve të paligjshme në objekte. Veç kësaj, kërkohet kryerja e kontrolleve të qarta dhe të plota të të gjithë të punësuarit e të mundshëm që do të kenë qasje në zonat e ndjeshme”, theksoi Sekretariati i CEFTA-s.

Cila është situata në rajon dhe në Palët e tjera të CEFTA-s kur bëhet fjalë për numrin e statuseve si OAE?

Të dhënat më të përditësuara tregojnë se në Serbi janë 51 biznese me status të tillë, 27 në Maqedoninë e Veriut, 10 në Kosovë, 10 në Shqipëri dhe 4 në Mal të Zi. Sipas Odës Ekonomike së Moldavisë, janë plot 120 biznese të akredituara si OAE në këtë vend. Një fakt që kërkon vëmendje të veçantë është se njohja reciproke e statusit AEOS të firmave ndërmjet Moldavisë dhe BE-së hyri në fuqi që nga 1 nëntori 2022, ku Moldavia u bë Pala e parë e CEFTA-s që e ka rregulluar ligjërisht njohjen reciproke të AEOS me BE-në. Nga ana tjetër, në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka biznese që e kanë këtë status marrë parasysh faktin se kjo palë e CEFTA-s e filloi zbatimin e programit gushtin e kaluar.

“Deri më tani është pranuar një aplikim. Me certifikimin si OAE, kompanitë do të kenë qasje në të gjitha përfitimet që ofron legjislacioni aktual dhe do të theksohet rëndësia e konceptit për biznesin e tyre të ardhshëm për të gjithë kandidatët e mundshëm, si zbatimi më i shpejtë i procedurave doganore; imazhi i përmirësuar i kompanisë; njohje më e madhe rajonale dhe ndërkombëtare; kosto më të ulëta të biznesit”, deklaroi divizioni doganor i Administratës për Tatim Indirekt të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Njohja reciproke e statusit në të gjitha Palët e CEFTA-s, së bashku me thjeshtëzimin e kërkesave doganore, mendohet se u kursen bizneseve deri në një të katërtën e kostove operative kur shndërrohen në shifra, siç pohohet prej tyre. Synimet e CEFTA-s në lidhje me lansimin e këtyre programeve janë që bizneset të bëhen të gatshme për të konkurruar në tregun e Bashkimit Evropian dhe të rritet tregtia, konkurrueshmëria dhe investimet brenda rajonit.

Komento: