Arsyet që çuan në prishjen e raporteve mes presidentes Osmani dhe ministres Gërvalla

21:38 | 22 January 2025
arsyet-qe-cuan-ne-prishjen-e-raporteve-mes-presidentes-osmani-dhe-ministres-gervalla

Shpeshherë i doli në krah, e bëri ministre të Jashtme dhe ia dha bekimin që ta udhëheq partinë që ajo vetë e themeloi.

Donika Gërvalla Schwarz e tradhtoi presidenten Vjosa Osmani duke shkuar në krah të kryeministrit Albin Kurtit. Mollë sherri për prishjen e raportit ishte marrëdhënia e shtetit të Kosovës me atë amerikan.

Osmanin e Gërvallën i lidhte edhe fakti se përveç themeluese të Guxo, ishin bashkë edhe në diplomacinë kosovare tash e katër vjet. Kjo ngase presidentja është shefe e diplomacisë ndërsa Gërvalla udhëhiqte Ministrinë e Jashtme.

Por jo pak herë, Gërvalla “ia vuri thikat pas shpinës” Osmanit dhe këtë e bëri jo vetëm në daljet publike, por edhe në vendimet që mori.

Dy konsuj u emëruan pa dijeninë e Presidentes, duke shkelur kështu protokollin e shtetit. Gërvalla dërgoi në Dusseldorf sekretarin e saj Behar Ismën e në Strasburg, Floreta Kabashin.

Burime brenda ministrisë së Gërvallës, bëjnë të ditur se ajo e bëri këtë krye në vete e pa u pyetur fare shefja e diplomacisë kosovare, e cila edhe me ligj e ka për obligim të emërojë dhe delegojë konsuj e ambasadorë anë e mbanë botës.

Përveç kësaj, burime po brenda kësaj ministrie bëjnë të ditur se Gërvalla shkeli edhe dy dekrete të tjera të Presidentes.

E para është që vetëm 12 ditë pasi presidentja e Kosovës dekretoi konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës në New York, Blerim Rekën.

Duke e tejkaluar presidenten, Gërvalla me një vendim tjetër, ia dha atij të gjitha privilegjet që i ka një ambasador i shtetit.

Të njëjtin veprim e bëri edhe për Francën, kur ia dha Lulëzim Hysenit, privilegjet e ambasadorit.

Megjithatë sipas informacioneve, në këto dy shtete, vendet e botës delegojnë nga dy ambasadorë. Në ShBA zakonisht delegohen dy ambasadorë: njëri ka për obligim të jetë pranë OKB-së, e tjetri për marrëdhënie diplomatike mes ShBA-së dhe vendit nga vjen. E njëjta praktikë aplikohet edhe në Francë për shkak të Këshillit të Evropës.

Por meqë Kosova nuk është pjesë e asnjërës prej këtyre organizmave, burime brenda Ministrisë e cilësojnë këtë si shkelje të dekretit presidencial. /Klankosova.tv

Komento: