Artan Abrashi flet për videon e VV-së: E bëmë për t’ia kujtuar opozitës se kush ka qenë

21:03 | 03 Tetor 2022

Abrashi për videon e VV-së: E bëmë për t’ia kujtuar opozitës se kush ka qenë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka komentuar videon e publikuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje në faqen e tyre zyrtare, ku etiketohen dhe akuzohen partitë politike, pushtetet e kaluara e ish-liderët e vendit, për kinse “shkatërrim 20 vjeçar”.

Abrashi deklaroi se një spot i tillë është bërë për t’iu kujtuar pushteteve të kaluara se “kush kanë qenë” e sipas tij, kjo më së miri bëhet përmes video-ve.

“Akuza të paqena, akuza të pavërteta, shpifje të cilat duhet imagjinatë e bujshme, e shfrenume. Neve na mbetet një zgjedhje që përmes një videoje dy minutëshe të ia kujtojmë partive opozitare se kush ka qenë”, ka thënë Abrashi në Tv Dukagjini.

Abrashi gjithashtu tha se Qeveria Kurti nuk do të ndalet ndaj “kërcënimeve e sabotazheve”.

“Ky pushtet nuk do të ndalet para asnjë situate të sabotazhit, kërcenimeve…ne do të vazhdojmë dhe nuk do të ndalemi. LVV është i vetmi subjekt që nuk ua ka frikën…”, ka deklaruar Abrashi.

Kujtojmë se LV ka fituar zgjedhjet për të dytën herë më 14 shkurt të vitit 2021 dhe prej marsit të atij viti qeveris në vend.

Ndërkaq Thaçi dhe Veseli mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, nën akuzat se kanë kryer krime kur ishin pjesë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Komento: