Mikel Arteta e ka lavdëruar Granit Xhakën për lojën e zhvilluar dje, por edhe në përgjithësi në këtë sezon dhe për krejt eksperiencën e tij në Arsenal.
Ylli kosovar ka vendosur të largohet nga “Emirates Stadium” pas shtatë vjetësh qëndrimi aty, ndërsa dje shkëlqeu në atë që mund të jetë ndeshja e tij e fundit me “Gunners” duke i realizuar dy gola në fitoren e thellë, 5:0 ndaj Wolverhamptonit.
Trajneri spanjoll e vlerëson shumë mesfushorin e tij, i cili do t’i mungojë shumë në sezonin e ardhshëm pasi Xhaka pritet të transferohet në Bayer Leverkusen.
“Mjaft e merituar, ai e kishte një sezon të jashtëzakonshëm. Një vit më parë i thashë që ka një pikëpyetje për ty, që duhet të japësh më shumë, që duhet të jesh më i mirë. Ai u rikthye dhe stërviti të nesërmen, ndërsa në fazën përgatitore u rikthye me katër kilogramë më pak, fit dhe në fytyrën e tij mund ta shihje vendosmërinë për ta bërë atë”, thotë fillimisht trajneri i Arsenalit.
“Ai ishte i jashtëzakonshëm, pjesë e rëndësishme e suksesit të ekipit dhe jam mjaft i lumtur që të gjithë po e vlerësojnë atë që e ka bërë ai”, vazhdoi Arteta.
Xhaka u bë një lider i vërtetë këtë sezon në Londër, por fatkeqësisht Arsenali e lëshoi titullin nga duart në fund të sezonit.
Sidoqoftë, Graniti po largohet nga “Topçinjtë” si një hero pasi kohëve të fundit ishte bërë lojtar mjaft i dashur për tifozët e Arsenalit.