Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka protestuar para ministrisë së Kulturës.
“Sot përmes këtij veprimi simbolik para Ministrisë së Kulturës, ne artistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, bëjmë thirrje publike ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve”.
Ata thonë se janë më të degraduarit në rajon, duke lënë anash Evropën.“Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës ia kujtojmë se puna dhe përkushtimi ynë për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret e të jemi më të degraduarit në rajon, mos të flasim për Evropë”.
Deklarata e plotë:
“Ne kemi dhënë dhe do të japim gjithçka për Teatrin, shtëpinë tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe festa zyrtare shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist.Diskriminimi ligjor që na është bërë, sfidon dinjitetin e profesionit tonë dhe është një gabim që do të mbahet në mend si ofendimi më i rëndë që i është bërë artistit të Teatrit Kombëtar, ky gabim ligjor buron nga ky institucion i cili do duhej që të kujdesej për artistin dhe kulturën si vlera themelore e identitetit tonë kombëtar.Ne qëndrojmë këtu sot si dëshmi e bashkimit tonë. Nuk do të ndalemi derisa ti arrijmë të drejtat tona legjitime, dinjitetin tonë profesion dhe respektin që çdo artisti meriton. Turpi është i atyre që na kanë detyruar që pa vullnetin tonë të dalim këtu për të kërkuar ato që duhej të na takon me ligj e me të drejtë.‘Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë. Ne nuk do pushojmë kurrë së kërkuari të drejtat tona”.