Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

11:16 | 27 Maj 2024
asambleja-parlamentare-e-nato-s-miraton-avancimin-e-statusit-te-kosoves

Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Kuvendi i Kosovës ka avancuar statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Gjatë këtij votimi, një vot ishte kundër dhe gjithsej 14 abstenime.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova avancoi statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Komento: