
Asamblistët e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë njoftuar se kanë dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Përmes padisë, grupi i asamblistëve ka kërkuar anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.
Në arsyetimin e padisë thuhet se Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për caktimin e çmimit të biletave të transportit publik, pasi kjo kompetencë, sipas tyre, i takon Kuvendit Komunal.
Po ashtu, në padi pretendohet se vendimi krijon trajtim diskriminues, duke përcaktuar çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik në varësi të mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional.
Sipas tyre, vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi, si dhe duke mos përmbajtur arsyetimin e kërkuar ligjor.
Gjykatës Supreme i është kërkuar të vendosë lidhur me ligjshmërinë e vendimit dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në përfundimin e procedurës gjyqësore.
Njoftimi i plotë:
ASKUSH NUK ËSHTË MBI LIGJIN. AS KRYETARI I PRISHTINËS.
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Me këtë padi kërkojmë anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Padia jonë bazohet në disa pretendime themelore:
▪️ Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore të caktojë çmimin e biletave të transportit publik. Sipas ligjit, kjo kompetencë i takon Kuvendit Komunal.
▪️ Vendimi krijon trajtim diskriminues, duke vendosur çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik, vetëm mbi bazën e mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional.
▪️ Vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet që kërkon legjislacioni në fuqi. Vendimi nuk përmban as arsyetimin e detyrueshëm ligjor.
Në një shtet të së drejtës, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë autoritet publik nuk mund të imponojë barrë financiare ndaj qytetarëve duke anashkaluar ligjin.
Tani është radha e Gjykatës Supreme të mbrojë ligjshmërinë dhe interesin publik