Asamblistit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së veriut, Betim Osmani në një prononcim për “Front Online” thotë se në veri jo krejt qytetarëve po u dërgohen faturat e rrymës.
Osmani vlerëson se ka ankesa nga qytetarët në atë pjesë veriore për shumën në fatura.
“Ka filluar por jo në masë të madhe. Dikujt po i dërgohet fatura dikujt jo. Ka ankesa të vazhdueshme të qytetarëve për ata që po i dërgojnë çmimet më të mëdha e ndonjë si kanë regjistruar ende”, shprehet Osmani.
Në muaj më parë “Front Online” ka dërguar pyetje tek ZRRE ku kanë njoftuar se furnizuesi e ka obligim t’i shpërndaj faturat tek ato shtëpi që u është kryer leximi i njehsorëve.
Po ashtu, thuhet se faturat e konsumatorëve duhet të jenë me llojin e tarifës që janë dakorduar me furnizuesin.
“Sipas legjislacionit në fuqi, Furnizuesi është i obliguar që faturat e energjisë elektrike t’i shpërndaj tek të gjithë konsumatorët tek të cilët është kryer leximi i njehsorëve. Në përputhje me Rregullën për Kushtet e Përgjithshme të Furnizimit me Energji, Furnizuesi është i obliguar të faturojë dhe arkëtoj pagesat prej konsumatorët. Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës të dakorduar me konsumatorin”.
Qytetarët që nuk janë pajisur me njehsor, duhet të nënshkruajnë kontratë me KEDS, thonë nga ZRRE.
“Nëse ndonjë nga konsumatorët nuk ka njehsor energjisë elektrike apo matësi i tyre nuk është funksionalë, konsumatorët sipas Rregullës se mësipërme konsumatorët duhet të nënshkruajnë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’i instalojë/ndërrojë njehsorët elektrik në mënyrë që konsumatorët të kenë matje të shpenzimit të energjisë elektrike”.
Kjo është mënyra që sipas ZRRE duhet të kryhen pagesat për rrymën në veri për qytetarët në pjesën veriore.
“Sipas Rregullës për Kushtet e Përgjithshme në Sektorin e Energjisë, pagesa e faturave duhet të bëhet në qendrën e specifikuar për arkëtim nga Furnizuesi çdo ditë të punës gjatë orëve të përshkruara, ose me ndonjë mënyrë tjetër të specifikuar në faturë apo në kontratën për furnizim”, thuhet në përgjigje. / Front Online /