Asfiksimi i dyshimtë i dy personave në Golem – nuk është ende e qartë lidhja që 2 viktimat kishin me njëri tjetrin

20:27 | 27 November 2021

Asfiksimi i dyshimtë i dy personave në Golem, e paqartë lidhja që 2 viktimat kishin me njëri tjetrin.

Vdekja aksidentale, është pista kryesore ku janë fokusuar hetimet e policisë lidhur me vdekjen e Mihal Jani, 60 vjeç dhe Anila Llulla, 50 vjeçe të cilët u gjetën të vdekur këtë të shtunë në apartamentin e katit të dytë të një pallati në Golem.

Mësohet se hetimet janë shtrirë në disa pista ndërsa nuk përjashtohet as pista që vdekja të ketë qenë e qëllimshme. 60 vjeçari e përdorte apartamentin ku u gjetën pa jetë si shtëpi pushimi. Ende mbetet e paqartë lidhja që 2 viktimat kishin me njëri tjetrin.

Ata dyshohet se humbën jetën për shkak të asfiksisë nga gazi. Policia njofton se ngjarja u zbulua në rreth orës 17:45. Shtëpia ishte e 60-vjeçarit Mihal Jani, ndërsa Anila Llulla banonte në Tiranë. 50-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj në Tiranë 2 ditë më parë. Djali i saj, i shqetësuar për kishte denoncuar largimin e saj. Edhe djali i Mihal Janit gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, i binte telefonit të të atit, por ai nuk përgjigjej. Kësisoj ai shkoi gjatë pasdites në shtëpinë e 60-vjeçarit, por sërish askush nuk iu përgjigj teksa i ra derës. Në pamundësi për të bërë diçka ai kërkoi ndihmën e zjarrfikëses e policisë dhe kur u futën në shtëpi i gjetën të pajetë

Komento: