Asgjësohen mbi 1 milion vaksina kundër COVID-19

21:00 | 02 May 2022

Shumë vaksina anti-covid janë asgjësuar.

Autoritetet shëndetësore të Danimarkës kanë thënë të hënën, 2 maj, se do të asgjësohen 1.1 milion vaksina kundër koronavirusit në javët në vijim, për shkak se u është ofruar data e skadimit, dhe se kanë dështuar përpjekjet për t’i dhënë ato si donacion në vendet në zhvillim.

Instituti shtetëror, Statens Serum, i cili analizon shtrirjen e COVID-19 në Danimarkë, ka thënë se epidemia në shtetin skandinav aktualisht “është nën kontroll, dhe mbulueshmëria me vaksina në mesin e popullsisë daneze është e lartë”.

Rreth 81 për qind e popullsisë së Danimarkës prej 5.8 milionë banorësh kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 62 për qind e tyre kanë marrë dozë përforcuese.
Agjencia ka thënë se Danimarka, sikurse shumë shtete në botë ka tepricë të vaksinave.

“Ekzistojnë sfida globale sa u përket donacioneve të vaksinave kundër COVID-19, sepse për herë të parë gjatë pandemisë, furnizimi me vaksina tejkalon kërkesën”, ka thënë agjencia përmes një deklarate.

Sipas autoriteteve, Danimarka ka bërë donacion 9 milionë doza të vaksinës dhe është duke bashkëpunuar me shtete tjera të Bashkimit Evropian për të gjetur kandidate që do të pranojnë vaksina që janë tepricë.

“Megjithatë, për shkak të rënies së kërkesës dhe mungesës së gatishmërisë për t’u vaksinuar në shtetet në zhvillim, ka qenë e vështirë për Danimarkën dhe vende tjera të BE-së të gjejnë shtete pranuese të këtyre dozave”, është thënë në deklaratë.

Komento: