Ashpërsohet gjuha politike: Isa Mustafa e krahason Kadri Veselin me Serbinë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ashpërsohet gjuha politike: Isa Mustafa e krahason Kadri Veselin me Serbinë

11:46 | 06 Janar 2019

Kreu i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka krahasuar Kadri Veselin me Serbinë, duke u ankuar se po ia shajnë partinë.

Në prag të zgjedhjeve të brendshme në LDK, Isa Mustafa ka nisur sulmet ndaj Kadri Veselit dhe PDK-së.

Njëjtë kishte vepruar edhe kur e kishte marrë për herë të parë pozitën e Shefit të Partisë.

Atëkohë, kishte lëshuar akuza ndaj SHIK’ut, PDK-së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit. Mirëpo, në fund ishte bërë Kryeministër me bekimin e Veselit dhe Thaçit, duke bashkëqeverisur për një mandat me ta.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.

Këto komente Mustafa i ka bërë pas akuzave të Dardan Gashit, Zëvendëskryeministër se LDK është bërë Degë e Vetëvendosjes e Isa Mustafa i është nënshtruar Albin Kurtit në ideologji e veprim.

Gjithë këto akuza të Gashit, Isa Mustafa i ka lidhur me Kadri Veselin. Ka thënë se Kryetari i PDK-së po i nxitë të tjerët kundër LDK-së.

“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se pavarësisht presionit LDK nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë.

“Mashtrohet dikush nëse mendon se mund ta merr me qera LDK-në për dialog, ashtu siç kanë vepruar me të tjerët. Rugova ka drejtuar proceset më të rëndësishme të vendit, si President, por nuk ia ka dhënë LDK-në ti shërbej askujt. Vetëm Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk shtyhen proceset duke ofenduar LDK-në.

“Por fati politik është tjetër. As Serbia nuk do të përballoj pa hy në dialog dhe pa e njohur Kosovën, e as Kadriu s’ka forcë me e shty ketë proces duke e ofenduar LDK-në dhe opozitën që përfaqësojnë shumicën në Kuvend.

Isa Mustafa ka lëshuar këto akuza vetëm një vit pasi është prishur me Veselin dhe PDK-në. Lideri i LDK-së kishte arritur të bëhej Shef i Qeverisë duke sharë e fyer PDK-në e SHIK-un ndërsa në fund kishte pranuar të bashkëqeveris me të njëjtit njerëz.

Madje, Isa Mustafa në kohën sa ishte në koalicion me PDK-në e kishte bërë Hashim Thaçin President e Kadri Veselin Kryetar të Kuvendit.

Gjatë kohës sa ka qenë në Qeveri, Mustafa me Veselin kishin ndërtuar raporte bashkëpunimi duke ndarë edhe pozitat nëpër borde e institucione të pavarura.

Sidoqoftë, Mustafa ka thënë se është e çuditshme fushata e Veselit kundër LDK-së.

“Në situatën kur , edhe përkundër diferencave të mëdha të skenës politike, Kosovës i nevojiten përpjekje e brendshme për të gjetur rrugën më të mirë për ta përballuar dialogun me Serbinë, ka filluar një fushatë e ndyrë e udhëhequr nga Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së dhe e pasuar nga lakenjtë e tij kundër LDK-së. Nuk e kanë mirë, sepse nuk mund të kryejnë punë duke e provokuar LDK-në”, ka shtuar ai.

Komento: