Mbi 100 mijë qytetarë përfitojnë ndihma sociale në Kosovë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2019.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24.995 familje me gjithsej 102.035 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2.217 familje.
Ndërkaq, nga skemat pensionale: skema e pensioneve bazë të moshës ka 127.104 përfitues; skema e pensioneve kontributpaguese të moshës ka 45.759 përfitues; skema për pensionet familjare ka 4.026 përfitues; skema për pensionet invalidore ka 103 përfitues; skema për pensionet e Trepçës 2.865 përfitues; skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës 1.059; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës 534; skema e kompensimeve për personat e verbër 1. 916; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 16.681, skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik ka 3.047 përfitues.
Kurse, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 445 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38 094 përfitues. Në tremujorin e parë 2019 ishin tre fëmijë të braktisur, njofton ASK.