Askush nuk po merret me fëmijët që po përballen me probleme të shumta në shkolla

16:25 | 16 June 2019

Nxënësit në shkolla po përballen me probleme nga më të ndryshmet.

Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve tërheqin vërejtjen për mosrespektim të të drejtave të nxënësve në shkollat e nivelit të ulët dhe të mesëm në Kosovë.

Sipas këtyre organizatave, interesi i nxënësve nuk konsiderohet si interes parësor brenda sistemit arsimor në shumë aspekte.

Edhe vetë nxënësit thonë se brenda sistemit arsimor ka dhunë fizike, emocionale, ngacmime seksuale e shumë skandale të tjera, por ët cilat shpesh mbeten të pa trajtuara.

Sipas përfaqësueses së Këshillit Rinor Kosovar, Agnesa Qerimi, ndonëse brenda shkollave dëgjohen dhe shihen skandalet, askush nuk ndërmerr asnjë hap konkret për t’i eliminuar ato.

Ajo thotë se që nga viti 2006, kanë adresuar këto shqetësime dhe se vetë nxënësit kanë qenë ata që i kanë adresuar ato brenda shkollave, por që nuk janë marrë parasysh.

“Në vitin 2006, Këshilli i Nxënësve e ka publikuar një raport i cili i paraqet qëndrimet e këtij Këshilli. Kështu që mendoj se është dashur që të merren parasysh rekomandimet të cilët e kanë paraqiturgjendjen reale brenda shkollave. Po të merreshin parasysh nuk do të kishim kaq shumë skandale”.

“Shohim skandale të nepotizmit, korrupsionit, shohim raste të tilla dhe institucionet prapë nuk po bëjnë asgjë konkrete. Këto politika që i kemi dhe ky sistem arsimor nuk i plotësojnë nevojat e nxënësve”, tha ajo.

Në anën tjetër, Klevis Vajqari nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, tha se një ndër problemet që është ngritur, janë grevat e mbajtura gjatë këtij viti. Sipas tij, të gjitha palët tjera të interesit kanë shpalosur interesat e tyre, derisa fëmijët apo nxënësit, nuk janë marrë në konsideratë dhe kanë qenë ata që kanë pësuar nga e gjithë kjo situatë.

“Një ndër elementet që ne e kemi diskutuar kanë qenë grevat e mësimdhënësve që janë mbajtur gjatë këtij viti. Gjendja psikologjike, presioni tek nxënësit duke mbajtur teste, plan-programi ka qenë më i ngjeshur, e gjithë kjo ka prodhuar stres, ankth dhe ka krijuar shqetësime në gjendjen emocionale tek nxënësit. Pra, asnjë prej këtyre nuk është marrë në konsideratë dhe nuk është konsideruar se ku arritëm në fund për nxënësit”, tha Vajsari.

Ajo gjithashtu ka përmendur kurikulën e pa përshtatshme me gabime të dukshme, terminologji të papërshtatshme, shpeshherë diskriminuese që ndikon në edukimin e brezave që po rriten.Ndërkaq edhe Ymer Reshiti, përfaqësues i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha se në këtë fushë ka hapësirë të mjaftueshme për të bërë ndryshime. Ai shtoi se grupet e ndryshme të interesit vazhdojnë të ndërhyjnë në sistemin arsimor duke mos pasur për bazë interesin e fëmijëve.

“Roli i prindërve duhet të jetë më aktiv duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për të gjitha parregullsitë që po ndodhin në sistemin arsimor”, tha ai.Sidoqoftë nëse ndalemi vetëm tek abuzimet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve në shkolla, e që janë fenomene mjaft shqetësuese, ato nuk janë të rralla . Megjithëkëtë, organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve thonë se raportimet për këtë fenomen, janë shumëfish më të vogla sesa që ato ndodhin në realitet.

Sipas autoriteteve të rendit, gjatë vitit 2018, janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale në shkollat fillore dhe të mesme në nivel të Kosovës. Statistikat që i posedon policia, për vitin 2017, kanë qenë tri raste të raportuara. E po ashtu edhe gjatë vitit 2016 janë raportuar tri raste të ngacmimeve seksuale në shkolla.

Komento: