Asnjë produkt kosovar për dy muaj nuk është eksportuar në Serbi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Asnjë produkt kosovar për dy muaj nuk është eksportuar në Serbi

08:59 | 17 Tetor 2019

Bllokohet eksporti me Serbinë, nuk u dërgua asnjë produkt kosovar për dy muaj.

Asnjë produkt kosovar nuk është eksportuar në Serbi për dy muaj. Nga rreth 60 milionë euro sa Kosova ka eksportuar në vende të ndryshme gjatë gushtit e shtatorit të këtij viti asnjë nuk ka shkuar për shtetin fqinj, Serbinë.

Kështu bëhet e ditur në të dhënat e publikuar në web faqen e Doganës së Kosovës.

Aty thuhet gjithashtu se gjatë gushtit dhe shtatorit të 2019-ës Kosova ka eksportuar produkte në vlerë saktësisht 59 milionë e 387 mijë e 738 euro në rreth 60 shtete të botës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi ka thënë se Serbia që nga paslufta ka përdorur forma për pamundësim të eksportit të produkteve kosovare.

“Eksporti i Kosovë ndaj Serbisë edhe para vendosjes së taksës ka qenë simbolik do të thotë diku 1 me 10 ka qenë raporti i eksportit të Kosovës ndaj Serbisë. Serbia që nga pas lufta ka bërë obstruksione të mëdha sa i përket prodhueseve vendorë duke mos i pranuar certifikatat e origjinës së mallit, vulat e Republikës së Kosovës dhe në këtë formë ka pamundësuar eksportin e Kosovës ndaj Serbisë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se Serbia ka bërë shkelje të rregullave të CEFTA-së.

“Kërkesat e Serbisë se duhet marr vërtetime në Institucionet paralele të Serbisë në Kosovë mendoj se kanë qenë komprometuese dhe denigruese për prodhuesit vendor dhe këtë mënyrë e kanë pamundësuar eksportin në këtë shtet. Në këtë mënyrë edhe Serbia ka bërë shkeljen e rregullave elementare të CEFTA-së, marrëveshjes së tregtisë së lirë për vendet e Evropës Juglindore dhe në këtë mënyrë ka diskriminuar prodhuesit kosovare për të eksportuar mallra drejt Serbisë”, ka shtuar ai.

E sipas Gashit as largimi i taksës nuk do të rriste eksportin në Serbi teksa ka thënë fokusi kryesor duhet të jetë ulja e importit.

“Unë jam skeptik sa i përket rritjes së eksportit të Kosovës jo vetëm në raport me Serbinë por edhe me vendet tjera, fokusi kryesor i ekonomisë kosovare duhet të jete ulja e vartësisë nga importi i produkteve e më pas të shkohet në politika për rritjen e eksportit, përderisa ne e kemi importin e mallrave mbi 3 miliardë euro brenda një viti është e tepër të thuhet se do ta rrisim eksportin. Në fakt prioriteti ynë nacional duhet të jetë ulja e importit dhe zëvendësimi i këtij importi me produkte të prodhuara në Kosovë”, ka shtuar Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike

E sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë gushtit të këtij viti eksporti është rritur për 4.7%.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë Euro, ndërsa importi 311.8 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe një rritje prej 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Në të njëjtin publikim thuhet se drejt vendeve të BE-së, eksportet e Kosovës kanë arritur në 9.1 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.1 milionë Euro, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.3%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.7%), Britani e Madhe (3.6%), Holanda (3.4%), etj. Në muajin gusht 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.8 milionë Euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-10.4%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.5%), Maqedonia (9.9%), Serbia (8.5%), dhe Mali i Zi (4.5%).Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 28.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (15.4%) dhe Zvicra (8.2%).”

Ndërsa produktet që më së shumti eksporton vendi ynë janë metalet dhe artikujt prej tyre.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet bimore; 7.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet minerale; 5.8% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.5% të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.”

Në të dhënat e Doganës së Kosovës thuhet se Kosova ka eksportuar në rreth 60 vendet të botës duke filluar nga ato të rajonit si Shqipëri, Maqedoninë e Veriut , Mali i Zi e shtete tjera evropiane e deri në SHBA, Arabi Saudite e Australi”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Ndryshe vitin që lamë pas Kosova ka shënuar rritje të eksportit.

Gjatë 2018-ës shteti ynë ka eksportuar produkte në vlerë mbi 300 milionë euro në krahasim me vitin 2017 ku kishte eksportuar produkte në vlerë 289 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave eksporti ka shënuar rritje për 4.2 për qind, shkruan arbresh.info

Më 6 nëntor të 2018-es, ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi taksë 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinë ndërsa më 21 nëntor këtë taksë e rriti në 100 për qind.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!