Asnjë punëtor i sektorit publik nuk e di sa do ta ketë pagën me ligjin e ri, s’ka koeficient të përcaktuar

00:03 | 23 December 2022

Bankat e shkollave për më shumë se një muaj ishin bosh. Personeli shëndetësor trajtonte vetëm rastet emergjente.

Policët ishin në nivelin më të lartë të detyrës, por të pakënaqur me atë që paguheshin. Të gjitha këto ishin rrjedhojë e ligjit të pagave në lexim të parë.

E këtë të enjte Kuvendi i Kosovës votoi këtë projektligj edhe në lexim të dytë.

Nga qeveria nuk u bë e ditur nëse kanë ndryshuar koeficientet sipas kërkesave të sindikatave.

Megjithatë ata që ishin më të zhurmshmit, Sindikata e Arsimit, duket se janë zbutur pak, pasi që më nuk kanë opsion protestat e grevat.

“Nëse ky ligj kalon, ashtu siç e kemi parë ne, ne besojmë se në të ardhmen natyrisht që do të kemi edhe shumë çështje për t’i diskutuar me Qeverinë, e në veçanti me Ministrinë e Arsimit, ngase edhe për vitin 2023 na mbeten jashtëzakonisht shumë punë për të punuar bashkarisht”, ka thënë Vjollca Shala nga SBASHK.

Se si kanë vepruar qeveria me kërkesat e tyre nuk e dinë as nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Megjithatë kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri, nuk hedh poshtë mundësinë që nëse kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh, te ndërmarrin veprime.

“Ne e kemi të vetmin mjet grevën, me të cilën i realizojmë kërkesat e punëtorëve shëndetësorë. është i vetmi mjet, ne nuk kemi mjet tjetër përvç protestave e grevave. Ne i kemi hapur rrugë dialogut social gjatë gjithë kohës, ju e dini prej kur unë jam në krye të federatës”, ka deklaruar Imeri për T7.

Kurse, Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se ende nuk e dine se cka përmban projektligji.

“Kur të del ligji, te shohim se cilat kërkesa janë përmbushë dhe cilat jo, dhe nëse vërtetë nuk janë përmbushë, vlera e koeficientit nuk është caktu për asnjë kategori”, ka thënë Zeqiri.

E për ekonomistin dhe sindikalistin Ali Sefaj është e çuditshme se si votohet projektligji për pagat pa u bërë publik koeficientet.

Ligji për paga pritet të filloj implementimin që nga 1 shkurti.

Komento: