
Shteti i Kosovës nuk mund t`i shmanget themelimit të Asociacionit.
Kështu ka deklaruar ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
“Kosova ka marrë obligime për themelimin e Asociacionit sipas dokumenteve të vitit 2013 dhe 2015. E veçanta e këtyre marrëveshjeve është se çdo statut i AKS-së duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qeveria nuk ka mundësi për ju shmang marrëveshjes, dakordimeve që i ka marrë”, vlerësoi Ferati për Front Online.
Ferati shpjegoi edhe rolin e këtij organi.
“Roli kryesor i Asociacionit është e drejta e komunave që janë pjesë e Asociacionit, atyre me shumicë serbe, të koordinohen mes veti në fushat ku janë kompetente në nivelin lokal”, theksoi Ferati për Front Online.
Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një draft-vizion për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”, i bazuar në modelin kroat, por i pa pranuar nga pala serbe./Front Online/