Asociacioni i Komunave: Qeveria urgjentisht t’i procedojë pagat për mësimdhënësit

11:01 | 05 Tetor 2022

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të procedojë urgjentisht pagat e muajit shtator për mësimdhënësit.

AKK-ja me anë të një komunikate për media ka thënë se komunat padrejtësisht po goditen në, siç e quajtën ata, garën e panevojshme. Deklarata e tyre vjen pasi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se komunat nuk kanë dorëzuar listat e pagave në Thesarin e Shtetit për muajin shtator.

“Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

AKK ka kritika për pushtetin, ku në komunikatë potencon se “kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”.

SBASHK-u kanë paralajmëruar rikthim në grevë, në rast se nuk procedohen pagat për të gjithë mësimdhënësit deri më 5 tetor (e mërkurë).

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet deklaratave kanë implikuar se do t’i kompensojnë vetëm ata mësimdhënës që kanë mbajtur mësimin gjatë kohës së grevës.

Komunikata e plotë:

AKK I BËN THIRRJE QEVERISË TË PROCEDOJ ME PAGAT E MËSIMDHËNËSVE

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) me kujdes po përcjell situatën duke pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MPFT).

Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave.

Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit.

Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani.

Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës.

Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor.

Komento: