Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon rishikimin e Rregullores për Shërbimin Civil, ngre shqetësime për cenim të autonomisë komunale

17:10 | 07 Maj 2026
asociacioni-i-komunave-te-kosoves-kerkon-rishikimin-e-rregullores-per-sherbimin-civil,-ngre-shqetesime-per-cenim-te-autonomise-komunale

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim lidhur me disa dispozita të Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, të cilat, sipas tyre cenojnë autonominë funksionale dhe organizative të komunave në Republikën e Kosovës.

Në reagim, AKK vlerëson se profesionalizimi, transparenca dhe meritokracia në administratë janë të domosdoshme dhe të mirëseardhura. Megjithatë, këto reforma nuk duhet të realizohen përmes centralizimit të kompetencave dhe kufizimit të të drejtës kushtetuese të komunave për menaxhimin e administratës së tyre.

Sipas AKK-së shqetësuese mbeten dispozitat që:
• fuqizojnë kontrollin e nivelit qendror mbi procedurat e rekrutimit;
• kufizojnë ndjeshëm kompetencat e komunave në menaxhimin e stafit drejtues..
AKK konsideron se komunat nuk mund të trajtohen si njësi të zakonshme administrative të nivelit qendror, pasi ato përfaqësojnë nivel kushtetues të vetëqeverisjes lokale dhe duhet të kenë kompetenca efektive në organizimin dhe funksionimin e administratës komunale.
Po ashtu, procedurat e parapara me këtë rregullore rrezikojnë të krijojnë vështirësi funksionale për komunat, veçanërisht për ato me kapacitete më të kufizuara administrative.

AKK ka  kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse:
• rishikimin e dispozitave që cenojnë autonominë lokale;
• përfshirjen e komunave dhe AKK-së në procesin e harmonizimit të akteve nënligjore;
• respektimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të mbrojë autonominë lokale dhe funksionimin efikas të administratës komunale në interes të qytetarëve dhe të vetëqeverisjes lokale.

Komento: