Këtë muaj shënohet 20 vjetori i çlirimit të Kosovës.
Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga sot përmes një konference për media, si udhëheqëse e këshillit organizativ për shënimin e përvjetorit të lirisë së Kosovës, ka treguar për agjendën e datës 12 qershor, ku parashihen shumë aktivitete.
Jahjaga ka treguar se tashmë është konfirmuar ardhja e miqve të mëdhenj të Kosovës, ish-presidentit Bill Cllinton dhe ish-sekretares së shtetit, Madeline Albright, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, ajo tregon se të ftuar do të jenë edhe miq të tjerë e personalitete politike nga vendi e rajoni.
Jahjaga ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij organizimi, duke shpalosur edhe agjendën për atë ditë.
”Ftojmë të jenë të pranishëm edhe qytetarët e Kosovës, bashkërisht të fesojmë me miqtë tanë. Në orën 11:00 do të nis tubimi qendror në sheshin Skënderbeu. Nga ora 14:00 do të jetë ecja për lirinë, nga sheshi Skënderbeu, deri tek busti i sekretares Albright, i cili edhe do të përurohet. Pastaj për të vazhuar afër shtatores së Bill Cllinton. Është e rëndësishme ta shënojmë me gjithë qytetarët. Në orën 17:oo, do të jetë konferenca ndërkombëtare e sigurisë”, ka treguar Jahjaga.
Jahjaga tregon se ideja rreth këtij organizimi kishte qenë e një ish-këshilltarje të saj, e që ishte projektuar pastaj nga një ekip i saj.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga sqaron se është vendosur që të thirret si iniciativë e katër presidentëve të Republikës së Kosovës.
”Projekti u ideua nga një ish-këshilltare imja dhe është projetuar nga ekipi im këto dy vjet. Unë kam propozuar që ta thirrim si iniciativë të katër presidentëve të Republikës së Kosovës, përtej ndasive politike”.