ATK ka bërë të ditur se sipas Vendimit Nr. 04/60 të marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për heqjen (faljen) e ndëshkimeve për të gjithë tatimpaguesit, të cilët kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit, deri më tani numri i tatimpaguesve të cilët kanë aplikuar për të përfituar nga ky vendim është 953, kurse ndëshkimi i falur është në vlerë 4.05 milion euro.
Ndërsa, tatimi bazë dhe interesi i paguar është në vlerë 14.5 milion euro.
Të drejtë për të përfituar nga kjo masë, sipas ATK’së kanë të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.
“Kjo mase është marrë me qëllim të lehtësimit të ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19. ATK i bënë thirrje gjithë tatimpaguesve të cilën kanë obligime të pa kryera, ta shfrytëzojnë këtë mundësi, pasi që pas datës 30 qershor ATK është e obliguar të veproj sipas të gjitha dispozitave që janë të parapara në Legjislacionin Tatimor”, thuhet nga ATK.