ATK njofton se gjatë këtij viti janë identifikuar 3100 punëtorë pa kontrata pune

13:12 | 21 December 2021

ATK: Gjatë këtij viti janë identifikuar 3100 punëtorë pa kontrata pune.

Vetëm gjatë këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka identifikuar mbi 3100 punëtorë pa kontrata pune. Po ashtu, 22 për qind e bizneseve që kanë llogari tatimore, nuk kanë deklaruar tatimet në Administratën Tatimore të Kosovës.

ATK, platforma Civikos d he Iniciativa Kosovare për Stabilitet kanë mbajtur diskutimin me organizatat nga shoqëria civile rreth formalizmit të punësimit në vend, si dhe implementimit të projektit të ATK-së “Punësimi joformal 2021-2023”

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka treguar për projektin e hartuar, sipas tij planifikohen aktivitete intensive me anë të së cilit planifikohen aktivitete intensive në identifikimin e personave të cilët shmangun përmbushjen tatimore.

Ai tha se punësimi jo-formal është dëm për punëtorin dhe në këtë rast, të njëjtit, nuk gëzojnë të drejtat bazuar në Ligjin e Punës.

“22 për qind e bizneseve që kanë llogari në ËM, llogari tatimore për deklarim të tatimit në paga, nuk deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në të dhënat e vitit 2020. Prej këtyre deklaruesve, 61 për qind e tyre nuk kanë paguar, ndërsa 39 për qind nuk kanë paguar. Pesë për qind e deklaruesve kanë deklaruar me paga nën 150 euro. Të dhënat të cilat tregojnë që ka hapësirë dhe vend për të përmirësuar dukshëm. Përveç këtyre dëmeve nga këndvështrimi i pagesës së tatimeve, dëmet janë aq të mëdha edhe nga ajo se sa një punëtor i sektorit privat është duke i gëzuar të drejtat e tij në pushimin ditor, vjetor e shumë gjëra të tjera”, tha ai.

Murtezi shtoi se mos-formalizimi prodhon dëme ligjore e tatimore. Në këtë diskutim, ai ka treguar edhe për numrin e punëtorëve që janë identifikuar gjatë këtij viti pa kontrata pune.

“Përmes pakos emergjente fiskale, 15 mijë të punësuar kanë qenë punëtorë të formalizuar. Ndërsa, nga pako e fundit që e kemi të ringjalljes ekonomike, rezulton që diku afër 10 mijë të punësuar kanë kërkuar të përfitojnë nga masa 1.1, 1.2 dhe 1.3… Në periudhën janar-nëntor 2021, kemi diku mbi 3100 punëtorë të identifikuar të cilët kanë qenë pa kontrata pune dhe kanë qenë realisht duke punuar”, ka shtuar ai.

E, përfaqësuesi nga FMN në Kosovë, Selim Thaçi theksoi se informaliteti në Kosovë është më i larti në regjion.

“Vlerësimet sa i përket informalitetit në Kosovë flasim për 35 për qind që duket të jetë ndër më të lartat në regjion. Aty diku janë edhe vendet si Maqedonia, Mali i Zi. Këto janë të dhënat e para që ka bërë Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe vlerësimet tjera që në këtë pikë e qesin Kosovën, jo mirë. Kjo ka bërë që të hyrat buxhetore dhe informaliteti të zvogëlohen dhe deklarimi tatimor e ka afektuar negativisht edhe në këtë pikë Kosova, sa i përket deklarimit del jo mirë në krahasim me regjionin”, u shpreh ai.

Sipas tij, disa nga faktorët që kanë ndikuar në informalitet janë besimi i ultë në institucione dhe procedurat e stërzgjatura në zgjedhjen e kontesteve biznesore.

Komento: