Vazhdon forma e dobët e Atletico Madridit, mposhtet nga skuadra e fundit në tabelë.
Atletico Madrid ka vazhduar me formën e dobët në La Liga. Kampionët e Spanjës kanë humbur sonte në shtëpinë e tyre në Madrid kundër Levantes. Gonzalo Melero (54) i Levantes ishte golashënuesi i vetëm në këtë ndeshje
Nuk ka këndellje në La Liga nga Atletico Madrid.
Skuadra e Diego Simeones është mposhtur me rezultat 0-1 në Wanda Metropolitano duke vazhduar që të jetë në vendin e pestë në La Liga, pas Barcelonës.
Levante e kishte edhe rastin e parë në këtë ndeshje në minutën e 22, kur Jorge de Frutos humbi një rast ideal për gol të cilin do t’ia mohonte Oblak.
Atletico rastin e parë në ndeshje do ta kishte në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Thomas Lemar përfitoi nga një rikthim i topit por ai goditi lart mbi portë në mënyrë krejtësisht të pasaktë.
Levante u tregua më e mirë edhe në fillim të pjesës së dytë.
Ishte një kundërsulm i shpejt i Levantes ku Sebastian pasoi të Gonzalo Melero. Ky i fundit bëri një depërtim të mirë në zonë dhe lansoi një goditje të fuqishme me të djathtën e tij për të shënuar gol në minutën e 54-të.
Atletico ka mundur që të kthehet në lojë pasi që pati prekje me dorë të topit në zonën e rreptësisë por pas rishikimit në VAR u pa që njëri prej lojtarëve të Atleticos ishte në pozitë jashtëloje.
Levante përsëri ishte e rrezikshme dhe ishte përsëri Jorge de Frutos që ishte afër golit në minutën e 64-të të ndeshjes, por ishte pikërisht Jan Oblak që priti goditjen me kokë të tij.
Në minutat në vazhdim ishte Atletico që dominoi por që asnjëherë nuk arriti që ta rrezikonte seriozisht portën e Cardenas.
Atletico arriti që ta barazoi rezultatin por goli i Correas u anulua për shkak se asistuesi i golit ishte në pozitë jashtëloje.
Me këtë humbje, Atletico vazhdon të jetë në pozitën e pestë në tabelë, me 39 pikë.
Pavarësisht fitores, Levante mbetet në vendin e fundit me 14 pikë, pesë më pak se Cadiz dhe 6 më pak se Alaves në vendin e 19 respektivisht 18.
Kjo është fitorja e dytë e Levantes në këtë sezon.