Atletico mposhti Juventusin, Pirlo vjen me një deklaratë befasuese

15:47 | 22 Shkurt 2019

Atletico Madrid mposhti mbrëmë skuadrën e Juventusit.

Ish-mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e gjigantit italian.

Golat e shënuara nga Jose Gimenez dhe Diego Godin ia siguruan një fitore skuadrës së Diego Simeones, në ndeshjen kundër kampionit në fuqi të Serisë A, në “Ëanda Metropolitano”.

Detyra e Juventusit do të kishte qenë më e lehtë nëse ata do ta kishin shënuar të paktën një gol si mysafir. Megjithatë, gjithçka do të vendoset në ndeshjen kthyese, që do të zhvillohet në stadiumin Allianz, më 12 mars.

“Unë e pashë një skuadër pa personalitet dhe pa vullnet për të luajtur. Ti duhet të përballesh me presionin dhe të japësh gjithçka që ke brenda vetes, nëse dëshiron ta fitosh titullin e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Pirlo.

“Juventusit i mungoi karakteri ose dëshira për të bërë më shumë. Ata ishin të kënaqur duke u mbrojtur, duke pritur dhe menduar se dikur do të vjen një gol për ta”.

Juventusi e ka fituar titullin e kampionit të Serisë A për shtatë vjetët e fundit radhazi, mirëpo ata dëshirojnë ta fitojnë titullin e Ligës së Kampionëve, gjë të cilën nuk e kanë arritur që nga sezoni 1995/96, kur kishin fituar në penallti kundër Ajaxit, pasi që koha e rregullt përfundoi me rezultat 1:1.

Që nga atëherë, “Zonja e Vjetër” ka pësuar disfatë në pesë finale të kësaj gare. Tri nga këto pesë disfata, Juventusi i ka pësuar gjatë viteve 2000. E fundit nga këto humbje ishte ajo e para dy sezoneve, kur u mposhtën nga Real Madridi në Cardiff me rezultat 4-1.

Komento: