
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025, pas gjetjes së një sërë parregullsish në raportimin financiar dhe menaxhimin e pasurive.
Sipas raportit të auditimit, ministria ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 3.28 milionë euro në kategori ekonomike jo adekuate.
“MASHTI në vitin 2025 ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë 3,287,630 euro në kategori ekonomike jo adekuate, si rezultat i planifikimit jo të mirë buxhetor dhe pagesave të kryera nga thesari me vendime gjyqësore”, thuhet në raport.
Auditorët kanë evidentuar po ashtu probleme me regjistrimin e pasurive kapitale, duke konstatuar se ato janë nënvlerësuar për mbi 1.14 milion euro.
“Vlera e prezantuar në PFV për pasuritë kapitale ishte nënvlerësuar për 1,140,570 euro, për shkak të mos regjistrimit të tyre në regjistrat përkatës të pasurisë”, thekson raporti.
Një tjetër gjetje lidhet me paraqitjen e detyrimeve kontigjente, të cilat sipas auditorëve nuk janë raportuar në mënyrë të saktë.
“Detyrimet kontigjente në PFV nuk janë paraqitur në mënyrë të saktë”, thuhet në raport, duke sqaruar se kjo ka rezultuar në nënvlerësim dhe mbivlerësim të kategorive të ndryshme të detyrimeve.
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në procesin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave.
“Në tetë pagesa në vlerë totale prej 225,570 euro ne kemi vërejtur që ato nuk ishin të nënshkruara nga zyrtari i autorizuar”, kanë konstatuar auditorët.
Po ashtu, sipas ZKA-së, “MASHTI nuk kishte mbajtur regjistrat e menaxhimit të kontratave përmes platformës së e-prokurimit”.
Auditorët kanë gjetur edhe vonesa të konsiderueshme në ekzekutimin e pagesave.
“Në 15 pagesa në vlerë totale prej 380,410 euro kishte vonesa në pagesa nga shtatë ditë deri 11 muaj, pas afatit të lejuar për pagesë prej 30 ditësh”, thuhet në raport.
Përveç kësaj, në tri raste janë konstatuar vonesa në furnizimin e mallrave përtej afateve të përcaktuara në kontrata.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që MASHTI të përmirësojë kontrollin e brendshëm financiar, menaxhimin e pasurive dhe raportimin financiar, në mënyrë që të shmangen parregullsi të ngjashme në të ardhmen.