Auditimi zbulon mangësi në ndërtimin e objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji

11:56 | 10 Dhjetor 2025
Auditimi zbulon mangësi në ndërtimin e objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për periudhën 2018 – qershor 2025.

Raporti i auditimit “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”, i publikuar të mërkurën, ka vlerësuar procesin e ndërtimit duke nisur nga buxhetimi dhe planifikimi, procedurat e tenderimit, deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Auditimi ka evidentuar mangësi në buxhetim, tenderim dhe menaxhim të fondeve, përfshirë mospërputhjen në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit, qasjen e dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhjen mes dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, mangësinë në procesin e vlerësimit të ofertave gjatë tenderimit dhe dobësinë në menaxhimin e shpenzimeve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se këto mangësi tregojnë nevojën për një qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve, për të rritur përgjegjësinë, transparencën dhe integritetin në menaxhimin e fondeve publike.

ZKA-ja ka dhënë pesë rekomandime për përmirësimin e proceseve:

1. Forcimi i kontrolleve të brendshme për harmonizimin e buxhetimit dhe transparencën e fondeve;

2. Kontroll më efektiv të njësive kërkuese dhe zyrës së prokurimit për specifika teknike të qarta;

3. Përmirësimi i sistemit të kontrollit gjatë përgatitjes së paramasës për të harmonizuar dokumentacionin teknik me kërkesat e projektit;

4. Sigurimi që tenderët të konsiderohen të përgjegjshëm vetëm kur janë në përputhje me të gjitha kërkesat e dosjes;

5. Ndarja e qartë e burimeve dhe shpenzimeve për secilin projekt dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm për identifikimin e gabimeve që në faza të hershme.

Komento: