Auditori konfirmon se rruga në Veternik nuk ka përfunduar

23:59 | 19 August 2021

Ish ministri, Lumir Abdixhiku e përuroi në mars të vitit 2020, por rruga në Veternik të Prishtinës akoma nuk ka përfunduar.

Ditë më parë lajmi.net ka shkruar se pronarët e kompanisë “Ekskavatori” po kërkojnë para shtesë nga Ministria e Infrastrukturës për projektin që u përurua vitin e kaluar “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës për Vitin 2020.

Në këtë raport që ka plot të gjetura për ministrinë, është theksuar edhe ky projekt.

Sipas ZKA, për këtë projekt ishte bërë pranimi teknik i pjesshëm (dt 29.12.2020), ndërsa disa aktivitete tjera ishin ndërprerë deri në nënshkrimin e aneks kontratës.

“Tek Projekti “Zgjerimi i Rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik) Ura dhe Zgjidhja e Nyjës që lidhë rrugën nacionale N2 dhe N25.2 dhe kyqjen e Autostradës R7” (vlera 2,504,150€), ishte paraqitur nevojave e punëve shtesë për asfaltimin e rrugëve alternative të cilat duhej të përdoreshin për kalimin e automjeteve gjatë periudhës së punimeve, të cilat nuk ishin të parapara me projekt. Edhe pse kërkesa e aprovuar nga komisioni i formuar dhe nga ZKA ishte dorëzuar, zyra e prokurimit as në vitin 2020 nuk kishte nënshkruar aneks kontratën. Për këtë projekt ishte bërë pranimi teknik i pjesshëm (dt 29.12.2020), ndërsa disa aktivitete tjera ishin ndërprerë deri në nënshkrimin e aneks kontratës. Sasitë e pozicioneve të realizuara pa aneks kontratë në situacionin e tretë komulativ ishin 18,771€”, thuhet në raportin e ZKA për Ministrinë e Infrastrukturës.

Lidhur më këtë projekt, lajmi.net ka raportuar se ministria ka formuar një komision për verifikimin e punëve shtesë. Komisioni po kërkon të bëhen disa shpime, pasi ministria po dyshon se projekti nuk është kryer sipas kushteve të kontratës. Dyshimet janë se nuk janë vendosur të gjitha shtresat sipas kontratës.

Probleme të ngjashme ZKA ka gjetur edhe në dy projekt tjera

Tek projekti ‘’ Ndërtimi i Autoudhës : Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë – Segmenti: Banullë – Bresalc l=22.31 km Lot 3 ‘’ vlera e kontratës është 6,850,467 euro.

“Pas pranimit të kërkesës së menaxherit të kontratës për punë shtesë si pasoj e mospërputhjes së projektit me gjendjen faktike në teren, njësia për zbatimin e projektit kishte aprovuar kërkesën e menaxherit duke vlerësuar se punët shtesë të nevojshme ishin në vlerë 614,752€. Edhe pse raportin e vlerësimit të aprovuar nga ZKA, komisioni e kishte dërguar tek zyra e prokurimit me datë 24.12.2019, ndryshimet nuk ishin bërë dhe si rezultat nuk ishte nënshkruar aneks kontrata. Sipas informatave të dhëna nga menaxheri i kontratës me datë 24.05.2021 akoma nuk ishte bërë nënshkrimi i aneks kontratës dhe e njëjta ishte në proces të nënshkrimit. Në pagesën në vlerë 436,471€ kemi konstatuar se përmbajnë sasi të pozicioneve të cilat ishin planifikuar të shtoheshin në kërkesën për punë shtesë dhe për të njëjtat nuk ishte nënshkruar aneks kontrata”, shkruhet në raport, sipas të cilit vlera e realizuar e këtyre pozicioneve pa nënshkrim të aneks kontratës ishte 64,739 euro.

Ndërsa, për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9.1 Segmenti DollcGjakovë, Lot 3” (vlera 3,998,888 euro), ZKA shkruan se, në bazë të kërkesës së menaxherit të kontratës komisioni i formuar për vlerësimin e punëve shtesë (gjithnjë si pasoj e gabimeve në projekt) me datë 10.03.2020 kishte aprovuar kërkesën dhe kishte rekomanduar lidhjen e aneks kontratës në vlerë 394,631 euro. Zyra e prokurimit nuk kishte realizuar procesin e nënshkrimit të aneksit deri me datë 30.04.2021.

“Përveç ndërrimeve të shumta të zyrtarëve përgjegjës të prokurimit në këtë ministri, nuk na është dhënë ndonjë arsye tjetër konkrete për mos nënshkrimin e kontratave për punë shtesë edhe pse ndryshimet ishin të aprovuara nga ZKA”, ka shkruar Auditori.

Komento: