Rusia po vazhdon agresionin kundër Ukrainës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të dielën se fushata e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka “ngecur”, prandaj ai ka përdorur sulme “të neveritshme” kundër civilëve atje, raporton CNN.
“Ne kemi parë shënjestrim të qëllimshëm të qyteteve dhe qytezave dhe civilëve gjatë javëve të fundit”, tha Austin për “Face the Nation” të CBS.
“Dhe përsëri, besoj se ai po i ndërmerr këto lloj hapash sepse siç u përshkrua më herët, fushata e tij ka ngecur. Ai nuk ka qenë në gjendje t’i arrijë qëllimet aq shpejt sa dëshironte t’i arrinte. Dhe kështu ai është, ai po i përdor llojet e taktikave që ne i shohim të ekspozuara çdo ditë. Dhe përsëri, kjo është vërtet e neveritshme”.
I pyetur në lidhje me pretendimin e Rusisë se ka lëshuar raketa hipersonike kundër Ukrainës, Austin tha se ai nuk beson se përdorimi i raketave të tilla nga Rusia do të ishte një “ndryshues i lojës”, megjithëse ai paralajmëroi se “nuk mund të konfirmojë ose kundërshtojë” këto pretendime.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan për CNN të shtunën se Rusia kishte përdorur raketa hipersonike në luftën e saj kundër Ukrainës.