Australia shënon ditë zie për viktimat e sulmit në Bondi Beach

08:56 | 22 Janar 2026
australia-shenon-dite-zie-per-viktimat-e-sulmit-ne-bondi-beach

Australia po mban sot ditë kombëtare zie në nderim të 15 viktimave të sulmit të armatosur në Bondi Beach të Sidneit, ku më 14 dhjetor dy persona hapën zjarr gjatë një aktiviteti hebre.

Flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa një minutë heshtje do të mbahet në orën 19:01 sipas kohës lokale. Ceremoni përkujtimore janë planifikuar në Operën e Sidneit dhe në qendrën komunitare hebreje Chabad në Bondi, raporton “Al Jazeera”.

Shumica e viktimave ishin pjesëtarë të komunitetit hebre, përfshirë edhe një fëmijë 10-vjeçar. Qeveria ka organizuar instalacione ndriçimi në Kanberë dhe qytete të tjera, me nga një shtyllë drite për secilën viktimë.

Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi sulmin si një goditje jo vetëm ndaj komunitetit hebre, por edhe ndaj mënyrës australiane të jetesës. Ai theksoi se Bondi simbolizon hapje dhe bashkëjetesë, vlera që u cenuan rëndë atë natë.

Sulmi, më vdekjeprurësi i këtij lloji në Australi në 30 vitet e fundit, çoi në miratimin e ligjeve më të ashpra për armët e zjarrit dhe në nisjen e një hetimi kombëtar mbi antisemitizmin dhe krimet e urrejtjes.

Komento: