
Austria ka miratuar një ligj që ndalon bartjen e shamive në shkolla për vajzat nën moshën 14 vjeç.
Koalicioni i udhëhequr nga konservatorët i tre partive të qendrës, ÖVP, SPÖ dhe Neos, thotë se ligji është një “angazhim i qartë për barazinë gjinore”, por kritikët thonë se do të nxisë ndjenjat antimyslimane në vend dhe mund të jetë jokushtetues. Masa do të zbatohet për vajzat si në shkollat publike ashtu edhe në ato private.
Në vitin 2020, një ndalim i ngjashëm i shamisë për vajzat nën 10 vjeç u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, sepse synonte posaçërisht myslimanët.
Kushtet e ligjit të ri nënkuptojnë se vajzat nën 14 vjeç do të ndalohen të mbajnë mbulesa koke “tradicionale myslimane” si hixhabet ose burkat. Nëse një nxënëse shkel ndalimin, ajo duhet të ketë një sërë diskutimesh me autoritetet shkollore dhe kujdestarët e saj ligjorë. Nëse ka shkelje të përsëritura, agjencia e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve duhet të njoftohet.
Si mjet i fundit, familjet ose kujdestarët mund të gjobiten deri në 800 €. Anëtarët e qeverisë thonë se kjo ka të bëjë me fuqizimin e vajzave të reja, duke argumentuar se bëhet për t’i mbrojtur ato “nga shtypja”. Duke folur përpara votimit, kreu parlamentar i partisë liberale Neos, Yannick Shetty tha se “nuk ishte një masë kundër një feje”.
“Është një masë për të mbrojtur lirinë e vajzave në këtë vend”, dhe shtoi se ndalimi do të prekte rreth 12,000 fëmijë.
Partia e Lirisë së Austrisë, e ekstremit të djathtë në opozitë, FPÖ, e cila votoi në favor të ndalimit, tha se nuk shkoi aq larg sa duhej. Ajo e përshkroi ndalimin si “një hap të parë”, i cili duhet të zgjerohet për të përfshirë të gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës.
“Duhet të ketë një ndalim të përgjithshëm për shamitë në shkolla; Islami politik nuk ka vend këtu”, tha zëdhënësja e FPÖ-së, Ricarda Berger.
Sigrid Maurer nga të Gjelbrit në opozitë e quajti ligjin e ri “qartësisht jokushtetues”. Bashkësia zyrtare Islame në Austri, IGGÖ, tha se ndalimi shkelte të drejtat themelore dhe do të ndante shoqërinë. Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, ajo tha se “në vend që t’u jepte fuqi fëmijëve, ata do të stigmatizoheshin dhe margjinalizoheshin”.