Sonte në orët e vona është sulmuar një autobus në Serbi.
Një autobus i një agjensioni nga Kosova, por me targa të Shqipërisë, është sulmuar në Krushevac të Serbisë, raporton Gazeta Express.
Autobusi po udhëtonte nga Prishtina për në Frankfurt, kur u godit derisa po kalonte nëpër Serbi. Sipas dëshmitarëve të rastit, autobusi ishte kryesisht i mbushur me shqiptarë që po udhëtonin në perëndim.
Një nga personat që po udhëtonte me autobus ka thënë për Gazetën Express se derisa autobusi po kalonte nëpër qytetin Krushevac në Serbi, është gjuajtur me gurë.
Ai tregon se nuk ka ndonjë të lënduar dhe autobusit i janë thyer vetëm xhamat. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia serbe.
Gazeta Express ka kontaktuar agjencie të cilës i takon autobusi, por ata nuk kanë pasur ndonjë përgjigje për rastin, që ka ndodhur vetëm para pak minutave.