Autoritetet nisin hetime edhe në Podujevë mbi dyshimet për manipulim të votave

10:56 | 02 Shkurt 2026
autoritetet-nisin-hetime-edhe-ne-podujeve-mbi-dyshimet-per-manipulim-te-votave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit në Podujevë.

Në njoftim thuhet se “gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës“.

Prokuroria gjithashtu thekson se së bashku me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërkohë që institucionet përkatëse kanë theksuar rëndësinë e transparencës dhe ndjekjes së procedurave ligjore në procesin e numërimit të votave. Ndryshe dje në rajonin e Mitrovicë janë ndaluar për 48 orë 34 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN), ku për 10 prej tyre Prokuroria ka paraqitur kërkesë për paraburgim. Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Kujtojmë se hetime pëveç Podujevës e Mitrovicës, po kryhen edhe në Prizren, Malishevës, Ferizaj, Pejë dhe Drenas./Telegrafi/

Komento: