Prokuroria autorizon policinë të mbledhë informata për uzurpimet që i publikoi Ministri Peci.
Të martën ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur për uzurpimin e pronave. Ai denoncoi ndërtimin e 25 villave në Stankaj të Pejës, të cilat sipas tij janë ndërtuar kundërligjshëm në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës.
Ndër të tjerash ai përmendi edhe një pronë në Ulpianë që është e Ministrisë së Bujqësisë që sipas tij është “uzurupuar dhe tjetërsuar nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura”.
“Është pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje; uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë; tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste; Operatorët ekonomikë / palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës”, ka shkruar Peci.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje.
Kështu tha për Express zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje”, tha Ulaj.
Për shkak të këtyre denoncimeve, Peci tanimë ndodhet nën mbrojtje të afërt të Policisë së Kosovës.
Këtë për Express e konfirmoi dje këshilltarja e ministrit Peci, Flutur Mustafa Pllana.
“Po, Ministri është nën përcjellje të mbrojtjes së afërt. Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës”, tha Mustafa dje.