AUV-i gjatë pandemisë në Prishtinë shqiptoi rreth 550 gjoba

15:51 | 19 Dhjetor 2020

16 mijë inspektime sanitare nga AUV-i gjatë pandemisë në Prishtinë, rreth 550 gjoba.

Është ora 13:00, dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë mësyrë kafenetë e Prishtinës për të parë zbatimin e masave anti-COVID.

Fokus kryesor i inspektorëve është mbikëqyrja e grumbullimit të qytetarëve, ruajtja e distancës dhe higjiena e hapësirave në të cilat u shërbehet qytetarëve.

Inspektorja sanitare, Eloiza Rukolli ka thënë se në aksionet e tyre kërkojnë që të mos lejohen grumbullime me shumë persona.

“Në përgjithësi ka filluar një vetëdijesim dhe ndërgjegjësim i qytetarëve dhe i institucioneve. Gjatë gjithë kohës ne jemi në teren dhe inspektojmë edhe mbikëqyrim se sa po respektohen masat anti-COVID, sa po bëhet dezinfektimi nëpër lokale, bartja e maskave dhe distanca. Në përgjithësi është gjendja e mirë dhe në rast se gjejmë grumbullim ne bëjmë shpërndarjen e tyre dhe marrim masa nëse është e nevojshme”, ka treguar ajo.

Që nga fillimi i pandemisë vetëm në Prishtinë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka realizuar rreth 16 mijë inspektime, 370 gjoba për persona juridikë dhe rreth 180 gjoba për persona fizikë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes inspektoratit sanitar nga fillimi i pandemisë është duke mbikëqyrur zbatimin e masave anti-COVID. Vetëm për regjionin e Prishtinës ne kemi realizuar rreth 16 mijë inspektime dhe nga këto inspektime kemi realizuar rreth 370 gjoba për persona juridikë dhe janë rreth 180 gjoba për persona fizikë. Këtu duhet pasur parasysh se të gjitha inspektimet janë kryer në koordinim të plotë me inspektoratet lokale, duke u nisur nga inspektorati lokal i Prishtinës, pastaj bashkëveprimi i gjithhershëm ka qenë me policinë e Kosovës”, ka thënë Lamir Thaqi, zëdhënës i AUV-it.

Përveç gastronomisë, nuk u kursyen institucionet arsimore dhe ato qeveritare.

Thaqi ka treguar se gjatë inspektimeve janë ndëshkuar edhe zyrtarët publik për mosrespektim të masave

“Fokus qendror i inspektimeve sigurisht që është lëmi i gastronomisë, aty kemi rrezikshmëri më të lartë, dhe pastaj ne jemi zhvendosur në monitorim të masave tek institucionet shkollore në kohën kur ato kanë punuar, dhe aty kemi një respektim më të lartë masave po ashtu ditëve të fundit ne e kemi nisur një inspektim edhe tek institucionet qeveritare, dhe kudo që kemi hasur shkelës ne kemi marr veprime konform ligjit në fuqi, dhe kemi masa ndëshkimore edhe ndaj zyrtarëve publikë”, ka deklaruar ai.

Që nga shtatori, në kryeqytet janë mbyllur rreth 30 lokale përkohësisht.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 parasheh ndëshkime për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës.

Komento: