Koronavirusi, AUV-i nuk e ndalon importin e produkteve ushqimore nga Italia.
Për shkak të frikës së infektimit me koronavirus, Kosova ka ndaluar mallrat me origjinë nga Kina, që dyshohet se bartin virusin Covid-19.
Mirëpo, e njëjta nuk vlen sa i përket produkteve ushqimore. Deri më tani nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë vetëm një ndalesë të importit të ushqimit të bletëve dhe hojeve të bletëve nga Kina.
Këtë e bëri të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, sipas të cilit ky ka qenë produkti i vetëm ushqimor që importohej nga Kina, vendi ku shpërtheu virusi vdekjeprurës.
“Ne deri më tani kemi ndërmarrë vetëm një ndalesë të importit të ushqimit të bletëve dhe hojeve të bletëve nga Kina dhe po ashtu jemi në koordinim të plotë me autoritete vendore për të qenë të gatshëm të veprojmë mbi të gjitha nevojat që paraqiten që ne të intervenojmë me anë të inspektorateve që ne kemi, inspektoratit sanitar dhe atij veterinar dhe po ashtu jemi në kontakt me organizatat Botërore të Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Ushqimit, autoritetit evropian të ushqimit dhe organizata tjera të cilat dërgojnë lajmërime të kohë pas kohshme ta quajmë të përditshëm mbi zhvillimet që ndodhin rreth këtij virusi”.
“…çdo hap apo çdo vendim çdo masë që do të merret nga ndonjë autoritet ndërkombëtar, automatikisht do të bëhet e aplikueshëm edhe në vendin tonë dhe ne si autoritet jemi të përgatitur që masat të cilat kërkohen të ndërmerren nga ne, ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë ato vetëm e vetëm që të pengojmë përhapjen e këtij virusi në vendin tonë”, theksoi Thaçi.
Përveç, Kinës, Italia është vendi me më së shumti të prekur nga koronavirusi. Mirëpo, Thaçi thotë se importet ushqimore nga ky vend nuk janë ndaluar, për shkak se deri më tani nuk është vërtetuar se virusi mund të përhapet përmes ushqimit.
“Kemi produkte të ndryshme, kemi gamë të gjerë të produkteve që importohen nga gjitha vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga Italia dhe vendet tjera të rajonit dhe zhvillimi i tregtisë së produkteve ushqimore është duke u zhvilluar siç ka qenë edhe më herët, përderisa nuk kemi ndonjë vendim apo ndonjë masë e cila ndërmerret në kuadër të organizatave botërore”.
“Nga gjitha hulumtimet që janë zhvilluar nga autoritetet botërore përmes mekanizmave të tyre hulumtues deri më tani nuk ka rezultuar asnjë hulumtim që ka detektuar që sëmundja apo virusi mund të bartet nga ushqimi dhe bazuar në këtë ende nuk ka asnjë ndalesë nga asnjë vend tjetër dhe e gjithë tregtia e ushqimit dhe produkteve është duke u zhvilluar normalisht siç ka qenë edhe më herët”.
Ai thotë se nëse vërtetohet se virusi përhapet edhe përmes ushqimit, atëherë do të zbatojnë çfarëdo mase ndalese që kërkohet.
“Në rast se kemi zhvillime të reja apo detektohen hulumtime mbi ndonjë produkt të caktuar, apo mbi ndonjë lëndë tjetër e cila bie në mandatin e kontrollit tonë, ne jemi të gatshëm që në linjë apo hap me autoritetet tjera të veprojmë dhe çfarëdo mase ndalesës që kërkohet ne jemi të gatshëm ta zbatojmë”, u shpreh ai.
Thaçi i tha EO se që nga momenti i përhapjes së koronavirusit, janë në koordinim të plotë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, mbi të gjitha për veprimet që duhet të marrin.
“Ne bëjmë pjesë në Këshillin Nacional për Luftimin e kësaj sëmundje, kemi dërguar të nominaurin nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe gjitha veprimet që kërkohen nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i ndërmarrim dhe kemi një profesionalizëm dhe gëzojmë një praktike të mirë të ndërmarrjes së hapave kur kemi raste të shpërthimit të sëmundjeve”, tregoi ai.
Në Itali, kanë vdekur 168 persona si pasojë e koronavirusit.
Numri i përgjithshëm i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet në këtë vend, tashmë ka shkuar në 631, ndërkohë numri i të prekurve është rreth 9 000.
Virusi po shpërndahet me shpejtësi edhe në shtetet tjera.
Në Serbi, janë paraqitur tri raste të reja me koronavirus.
Kroacia ka raportuar për pacientin e 15 të prekur. Në Shqipëri janë 10 raste, e në Maqedoni 7.
Kosova, Mali i Zi dhe Turqia janë vendet e vetme në Evropë që nuk kanë raportuar për ndonjë të prekur me këtë virus.