
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa ndaj Qumështores VITA pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (LUVK).
Sipas AUV-së, gjatë kontrolleve janë konstatuar 12 produkte jokonforme, të cilat ishin paraqitur dhe tregtuar si produkte me përmbajtje shtazore. Në këto produkte është evidentuar prania e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtesë së padeklaruar.
Për këto produkte, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu.
Gjetjet më serioze janë evidentuar te produktet e deklaruara si qumësht. Sipas raportit, katër mostra të katër produkteve të shitura dhe të deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme. Dy prej tyre kanë përmbajtur vaj palme, ndërsa dy të tjera qumësht pluhur, përbërës këta që nuk ishin deklaruar për konsumatorët.
AUV ka bërë të ditur se të gjitha këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme. Megjithatë, për shkak se prodhohet në të njëjtin objekt dhe në të njëjtën linjë ku janë konstatuar mospërputhjet, AUV ka vendosur që kjo linjë të jetë nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
Kontrollet kanë evidentuar edhe 26 produkte me përmbajtje bimore që, sipas AUV-së, janë prodhuar jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit. Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në sigurimin e aprovimit përkatës nga AUV.
Në raport është evidentuar edhe një aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteinë qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm.
Masat e ndërmarra nga AUV përfshijnë tërheqjen e 12 produkteve jokonforme nga tregu, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e linjës së qumështit, si dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të prodhuara jashtë aprovimit.
Po ashtu, AUV ka urdhëruar ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve të konstatuara.