Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisw ka marrë vendim që të bëjë ndalesë të të importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre që kanë origjinën nga Sllovakia.
Kjo pas shpërthimit të sëmundjes ‘’Afta Epizootike’’. kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
’Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar informata se në Shtetin e Hungarisë ka shpërthyer sëmundja e kafshëve ‘’Afta Epizootike’’. Sipas njoftimit zyrtar në sistemin e lajmërimit të sëmundjeve ADIS – Animals Diseases Information Sistem të BE-së, në shtetin e Sllovakisë respektivisht në zonën kufitare me Hungarinë, kemi shpërthimin e sëmundjes ‘’Afta Epizootike – FMD’’ . Andaj bazuar ne Kodin Terrestial të shëndetit të kafshëve, kapitulli 8.8 te WOAH-se, Ligjin e Shëndetit të kafshëve të BE dhe Ligjin e Veterinarisë 21/2004, vendoset masa e ndalesës së importit të kafshëve (gjedhe, dele, dhi dhe derra) dhe produkteve të tyre nga i gjithë shteti i Sllovakisë’’, thuhet në njoftim.
Më tutje është bërë e ditur se Afta Epizootike është sëmundje virale, me mundësi përhapje të shpejtë.
‘’Prek kafshët dythundrake dhe shkakton dëme ekonomike të mëdha. Nga kjo sëmundjet infektive preken kafshët shtëpiake (lopët, delet, dhitë, derrat) dhe ripërtypësit e egër (drerin, kaprollin) dhe derrat. Shenjat klinike të sëmundjes: ethe dhe me formim të flluskave që lokalizohen në cipën mukoze së gojës, në gji, kurorën e thundrës dhe në hapësirën ndërmjet thundrave. Sëmundja e Aftës Epizootike nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, ka karakter ekonomik në prodhim dhe ndalim të tregtisë’’ thuhet më tutje në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se në rast të konfirmimit të pranisë së sëmundjes, Kosova ka të përgatitura kapacitetet inspektuese për vënie nën kontroll të saj.