Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe KiE – LDK e VV tregojnë kush janë meritorët

11:03 | 29 Mars 2024
avancimi-i-kosoves-ne-asamblene-parlamentare-te-nato-s-dhe-kie-–-ldk-e-vv-tregojne-kush-jane-meritoret

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë mendime të ndryshme sa i përket meritave për avancimin e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe avancimin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, raporton Ekonomia Online.

Nga LDK thonë për Ekonomia Online se meritore për këtë sukses të Kosovës janë të gjitha qeveritë, ndërsa nga VV-ja theksojnë se meritorë janë drejtuesit e institucioneve.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për Ekonomia Online, se suksesi i Kosovës në këtë drejtim duhet t’iu faturohet të gjitha partive, ndërsa thotë se Qeverisë Kurti i ka qëlluar fati.

Ajo përmend edhe siç thotë dëmet që i janë shkaktuar Kosovës nën drejtimin e Albin Kurtit.

“Meritat janë të të gjitha partive sepse ky proces ka filluar më herët nuk ka filluar tash kur ka ardhur Kurti. Ju e dini se tash për vitin e katërt kjo Qeveri ka pasur vetëm regres sa i përket politikës së jashtme dhe gjithashtu integrim sepse ne për herë të parë kemi marrë masa nga BE. Tash në qershor bëhen një vit kur projektet janë ndërpre dhe ato janë në të dëm të qytetarëve për arsye se janë projekte që janë qenë në shërbim të qytetarëve dhe unë mendoj që është meritë e të gjitha por ka qëllu fati koha në këtë momentum për arsye se ju e dini se janë dhënë tokat e Manastirit të Deçanit ajo ka qenë vendim i Gjykatës Kushtetuese ne duhet të implementojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese por jo të implementojë një njëri që ka bërë protesta të dhunshme kanë mbyt policë janë mbyt edhe njerëz tjerë lidhur me këto procese që po i implementojnë tani”, thotë Krasniqi.

Krahas avancimit në Këshillin e Evropës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë se Kosova mori edhe një lajm tjetër të mirë falë Qeverisë Kurti. Dugolli përmend vendimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila vendosi ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar.

“Padyshim se kjo javë ishte një javë shumë e frytshme me lajme shumë të mira sa i takon avancimit të statusit të Kosovës së pari në Asamblenë Parlamentare të NATO-së pra nga anëtarë vëzhgues pra tani anëtar i asocuar. Më pastaj kishim edhe lajmin tjetër shumë të mirë drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës gjë që u përshëndet nga të gjithë faktorët edhe politik dhe institucion edhe qytetarë pra kjo gjithsesi se është një arritje shumë e mirë shumë domethënëse për shtetin e Kosovës dhe meritat i kanë pra në radhë të parë drejtuesit e institucioneve që po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që Kosova të ec në drejtim të avancimit të statusit të saj por në këtë drejtim nuk dua të apstrahojë edhe faktorët tjerë që në radhë të parë duhet përshëndetur ato shtete mbështetëse të cilat po bëjnë një punë të madhe për ta mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në Këshill të Evropës. Në prill ka një mbledhje në asamblenë e Këshillit të Evropës pra në dy të tretat dhe pastaj finalizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave që unë mendoj se Kosova i ka përmbushur të gjitha ato kërkesa që kanë dalur për të qenë anëtare e plotë më të drejta të barabarta pra anëtare e Këshillit të Evropës”, thotë Dugolli.

Komento: