
Ish-kryeministri dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën aktuale brenda LDK-së, duke bërë thirrje për unitet, reflektim dhe respektim strikt të statutit të partisë, shkruan Gazeta 10.
Hoti ka theksuar se në këtë moment të ndjeshëm për LDK-në, askush që mban përgjegjësi politike nuk duhet të qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e partisë. Sipas tij, vetëm përmes qetësisë, pjekurisë politike dhe gjithëpërfshirjes mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe LDK-ja të vihet sërish në shërbim të Kosovës.
Duke iu referuar statutit të LDK-së, Hoti ka sqaruar se në rast të dorëheqjes së kryetarit, Kuvendi i LDK-së duhet të thirret për t’u njoftuar zyrtarisht dhe më pas të zgjedhë kryetarin e ri, duke theksuar se çdo devijim nga kjo procedurë përbën përpjekje për shtyrje apo deformim të përgjegjësisë politike të lidershipit aktual.
Ai ka rikujtuar se standardi i dorëheqjes pas një rezultati të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021 dhe është promovuar nga vetë kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas Hotit, shmangia e këtij standardi sot është në kundërshtim me parimet që vetë lidershipi i tanishëm i ka shpallur si vlera udhëheqëse.
Hoti ka vlerësuar se pas rezultatit “tejet të dobët” të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, LDK-së i nevojitet patjetër lidership i ri dhe një proces i thellë riorganizimi në të gjitha nivelet, përmes një reformimi transparent dhe gjithëpërfshirës. Ai ka theksuar se besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie politike.
Në fund, Hoti ka paralajmëruar se nëse lidershipi aktual nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hap rrugë për reformim statutar, ai do të japë dorëheqje nga organet drejtuese të LDK-së. Sipas tij, ky nuk është një veprim emocional, por një qëndrim parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët me përgjegjësi politike, nga Kryesia e deri te degët dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, të kontribuojnë në një proces transparent dhe statutar për zgjedhjen e lidershipit të ri dhe orientimin e duhur të partisë./Gazeta10